E Shtunë, 31 Tetor 2026

Permbytjet ne Durres demshperblim per 620 familje

620 familje në qarkun e Durrësit do të përfitojnë nga fondet e buxhetit të shtetit dhe njësive vendore për dëmet e shkaktuara nga përmbytja e 3 dhjetorit në banesat dhe pronat e tyre. Kryetari i këshillit të qarkut Durrës-Krujë Seid Kërtusha ka bërë të ditur se lista përfundimtare tashmë ka kaluar pranë njësive vendore që janë prekur nga kjo përmbytje.

Bashkitë më të prekura janë ato të Fushë Krujës dhe Durrësit. Kreu i qarkut ka bere te ditur se per evidentimin e demeve kane punuar kater grupe verifikimi ne terren.

“Në tërësi janë rreth 620 familje të cilat sipas të gjitha kritereve dhe ligjeve që ka shteti do të dëmshpërblehen për dëme që u janë shkaktuar nga përmbytjet. Vendimi I qeverisë parashikon që këto familje të dëmshpërblehen. Masa e dëmit dhe vlera e dëmit rast pas rasti do të vlerësohen nga organet kompetente. Ne kemi kompetencë vetëm verifikimin. Shpresojmë që gjithë familjet e përmbytura, nëpërmjet komunave e bashkive të tyre, nëpërmjet drejtorisë së përgjithshme të gjendjes civile, nëpërmjet parave që do të japë buxheti I shtetit të rimbursohen sa të jetë e mundur për dëmin e shkaktuar” tha Kertusha.

E gjithë shuma që mund të nevojitet për dëmshpërblimin e banorëve është rreth 400 mijë euro, por kjo shifër ende nuk është zyrtare, pasi nevojiten edhe kalkulimet e fundit.Vetë këshilli i qarkut ka dhënë nga buxheti i tij një fond prej 2.5 milion lekë të reja.

Nga ana tjetër verifikimet që janë bërë në zonat e përmbytura të bashkisë së Durrësit nuk kanë konstatuar dëme të mëdha dhe në këtë mënyrë shumën që do të duhet për këtë qëllim mund ta përballojë vetë bashkia nga buxheti i saj.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›