Pensionistët, ja kush përfiton pension deri në 30 qershor të këtij viti
Kategoritë dhe kushtet për pension të plotë ose të pjesshëm deri më 30 qershor 2010 Zbardhen kushtet që duhet të përmbushen për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm deri në datën 30 qershor 2010. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë përcaktuar moshat që do ta ligjërojnë të drejtën e pensionit, deri në afatin e mësipërm. Ndërkaq, për tu ardhur në ndihmë personave në prag të daljes në pension, specialistët e Sigurimeve Shoqërore kanë detajuar kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë,
për të dyja gjinitë sipas kategorive. Sipas kushteve të vendosura, kriteret e përfitimit të pensionit kanë pësuar ndryshime për çdo kategori. Kështu, deri më 30 qershor 2010, për punët e kategorisë së parë mosha e daljes në pension dhe periudha e sigurimit në vite është rritur me një vit. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit të pleqërisë është rritur me 6 muaj, por periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për rrjedhojë, të gjithë personat që bëjnë pjesë në kategorinë e dytë të punës, që e plotësojnë moshën e pensionit brenda harkut kohor korrik 2009-qershor 2010, duhet të kenë të siguruara plot 35 vite punë. Të njëjtat ndryshime me kategorinë e dytë kanë pësuar kushtet e daljes në pension edhe për kategorinë e tretë. Edhe për këtë kategori, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, ndërsa periudha e sigurimit ka mbetur po 35 vite pune. Kushtet Ekspertët e ISSH-së kanë specifikuar kushtet kryesore që duhet të plotësojnë personat për të ligjëruar të drejtën e pensionit. Kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie deri më 30 qershor 2010, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension për burrat është 58 vjeç, kurse për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 30 vjet të siguruara. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit është 63 vjeç për burrat dhe 58 vjeç për gratë, periudha e sigurimit është 35 vite punë. Për punët e kategorisë së tretë është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç dhe për gratë 59 vjeç, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar është 35 vjet pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të jenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Kategoritë e pensioneve Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës. Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë etj. Në punë të kategorisë së dytë, për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë etj. Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, të blegtorisë etj. Procedurat që duhet të ndiqen për të përfituar pension pleqërieMbështetur në rregulloren nr.1, datë 21 tetor 2008 Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve, të Këshillit Administrativ të ISSH-së, të gjithë personat që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie, sipas Ligjit Nr.7703, Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim që 12 muaj para plotësimit të kushteve për pension, pranë agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre. Kurse personat që nuk disponojnë dokumentet, duhet të bëjnë vetëdeklarimin me shkrim në kërkesën paraprake. Më poshtë, ekspertët e ISSH-së sqarojnë procedurat që duhet të ndjekin të interesuarit për të përfituar pension pleqërie jo vetëm për ata që i disponojnë dokumentet, por edhe personat që i kanë humbur ato. Çdo person që është në prag të plotësimit të kushteve të mësipërme, duhet të paraqitet pranë organeve përkatëse të vendbanimit të tij për të plotësuar kërkesën paraprake për të drejtën e pensionit, duke dorëzuar dhe një listë të caktuar dokumentacionesh që kërkohen. Kjo procedurë duhet të kryhet 12 muaj para se personit ti lindë e drejta ligjore e marrjes së pensionit të pleqërisë.Liri Mëhalla
Last Updated on E Marte, 12 Janar 2010 22:49