Politika e luanëve dhe e dhelprave

Në pjesën shqiptare të Maqedonisë është
vështirë të shohësh oxhaqe industrialë, pa asnjë zonë të lirë ekonomike (pjesa
maqedonase i ka katër të tillë), ndërsa buxheti i shtetit qe shumë kohë nuk bën
investime zhvillimore në këtë pjesë të vendit. E gjithë kjo është strategji
e politikës maqedonase dhe trajtimit që i bëhet pjesës shqiptare në shtet
Hasan
Saliu*
Lajmi se 150 mijë qytetarë të Maqedonisë e braktisën
menjëherë vendin sapo u hoqën vizat, dhe atë jo për turizëm, tregon për
dëshpërimin e madh të tyre dhe paperspektivën që shohin ata në vendin e tyre.
Shumica e të larguarve janë shqiptarë, ndërsa po të merret parasysh fakti
zyrtar se çerekun e popullsisë së këtij vendi e përbëjnë shqiptarët, ndërsa
shumica e të larguarve rishtazi janë shqiptarë, kjo dëshmon se shqiptarët të
paktën pesë herë më shumë se maqedonasit janë duke e braktisur Maqedoninë. Kjo
tregon se shqiptarët nuk shohin asnjë perspektivë punësimi në atë vend. Dhe,
kjo perspektivë shihet vërtet e zymtë. Në pjesën shqiptare të Maqedonisë është
vështirë të shohësh oxhaqe industrialë, pa asnjë zonë të lirë ekonomike (pjesa
maqedonase i ka katër të tillë), ndërsa buxheti i shtetit qe shumë kohë nuk bën
investime zhvillimore në këtë pjesë të vendit.
E gjithë kjo është strategji e politikës
maqedonase dhe trajtimit që i bëhet pjesës shqiptare në shtet. Krahas dozës së
madhe shoviniste të estabilishmentit maqedonas, gatishmëria e madhe e
shqiptarëve për ta braktisur vendin është edhe pasojë e dështimit të faktorit
politik të shqiptarëve në Maqedoni. Partitë shqiptare, herë njëra e herë tjetra,
kur janë opozitë, janë mbrojtës luanë të barazisë së shqiptarëve me
maqedonasit, por ku bëhen pjesë e Qeverisë bëhen mbrojtëse dhelpra të
barazisë së shqiptarëve në shtet dhe mbrojtës luanë të interesave klanore
partiake. Ky avaz është duke vazhduar qe gati dy dekada, pa asnjë ndryshim. Në
vitin 2001 u zhvillua edhe një konflikt i armatosur për barazi kombëtare, por
nëntë vjet më vonë gjendja mbetet e pandryshuar në thelb, edhe përkundër disa
ndryshimeve kozmetike konstitucionale. Madje, të lejuar qëllimisht të zhyten në
biznese korruptive dhe me ministra të emëruar mediokër, shqiptarët shpesh edhe
shtantazhohen. Se deri në çfarë mase është degraduar faktori politik shqiptar
tregon edhe fakti se përderisa përfaqësuesit e BE-së kërkonin deri para disa
muajsh implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, parti shqiptare në Qeverinë
e atjeshme shkonin një hap përtej servilizmit të zakonshëm, duke deklaruar se
kjo marrëveshje paqësore është implementuar 99 për qind. Si pasojë e këtij
qëndrimi, kushti specifik i Maqedonisë për anëtarësim, ai i Marrëveshjes së
Ohrit, nuk ekziston më për kancelaritë e Brukselit. Madje, pozitën e skajshme
inferiore partitë shqiptare janë duke dëshmuar edhe duke mos qenë, jo vetëm
pjesëmarrëse në vendimin për çështjen e emrit të shtetit, por madje as pjesë e
këtij debati.
Në anën tjetër, pala maqedonase është treguar
praktikisht mjaft stratege, madje risheljiane. Në këtë kontekst, jo vetëm që
ka pasur sukses strategjia përçaj e sundo, por madje ka bërë që shqiptarët me
muaj e vite të merren me pasojat e një provokimi maqedonas. Në këtë kontekst,
menjëherë pas luftës së armatosur për të drejtat e shqiptarëve, pala
maqedonase ndërmerrte herë pas here aksione policore, si në Malësinë e Shkupit,
Tetovës, më pastaj në Brodec etj. Pas gjithë këtyre aksioneve me të plagosur e
viktima shqiptarë dhe shumë të burgosur, subjekteve shqiptare do tu duheshin
të merreshin me shërimin e plagëve të këtyre aksioneve. Pasi kalonin disa
muaj dhe harrohej aksioni, ndërmerrej tjetri, duke i bërë shqiptarët që të ndihen
të lumtur, kur pala maqedonase nuk ngucej. Të tjerat harroheshin. Askush në
këtë atmosferë nuk mendonte për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, apo avancimin
e statusit të tyre. Kur aksioneve policore u kaloi koha, strategjia maqedonase
sërish e vinte në lojë politikën shkurtpamëse shqiptare në Maqedoni. Abrogimi i
ligjit për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar sërish e nxiti debatin
brendashqiptar, duke i bërë shqiptarët që të merren me vetveten. Kur pas disa
muajsh të tërë konsumoheshin energjitë euforike dhe shkurtzgjatëse të
shqiptarëve, pala maqedonase e lëshonte një tullumbace tjetër: vënia e vizave
për shtetasit e Shqipërisë, apo edhe të Kosovës. Kur konsumohej debati dhe
energjitë, pasonte hapi tjetër: provokimi nëpërmjet enciklopedisë. Ndërsa, ai i
fundit, gjithashtu pritet të djegë energji politike të shqiptarëve, të paktën
për një vit: shqiptarët tani obligohen me ligj që nga klasa e parë ta mësojnë
gjuhën maqedonase. Kjo kurrë nuk ka qenë, as edhe në diktaturën e egër socialiste.
Kështu, filloristët shqiptarë në Maqedoni që nga mosha 6-vjeçare obligohen që ta
mësojnë edhe maqedonisht. Dhe, pasi reagimi i flluskave politike të marrë fund,
mbase pala maqedonase do të dalë me ndonjë margaritar të ri, duke i lënë
shqiptarët ta bëjnë në vazhdimësi punën e Sizifit, madje edhe më keq.
Kështu, subjektet politike shqiptare do të
kujdesen për tu marrë vetëm me reagime ndaj veprimeve politike maqedonase dhe
ti ruajnë bizneset e krerëve partiakë, ndërsa popullsia e gjetur para një
situate të defetizmit politik e ekonomik, gjithnjë e më shumë do të kërkojë
zgjidhje, duke u larguar nga vendi. Ky largim i një pjese të popullsisë
shqiptare nga Maqedonia drejt Perëndimit vjen si pasojë e qartë e
paperspektivës ekonomike dhe mosdurimit nga amoraliteti i skajshëm i faktorit
politik shqiptar. Me pakësimin e vazhdueshëm të trupit elektoral shqiptar në
Maqedoni, pa dyshim që më e fituara do të jetë politika. Në radhë të parë,
fituese do të jetë politika maqedonase, ajo e cila rrit fuqinë e saj tek
elektorati maqedonas me qëndrimin e shtrënguar kundrejt shqiptarëve. Fituese e
dytë do të jetë politika e tanishme shqiptare në Maqedoni, sepse tendenca për
ta shtuar kontrollin dhe disiplinuar elektoratin (elemente jodemokratike të
cilat janë dëshmuar vërtet shumë shpesh) do të rritej; do të binte presioni i
elektoratit ndaj subjekteve politike, ndërsa këto të fundit do ta shtonin
fuqinë ekonomike të krerëve dhe klaneve partiake. Faktori shqiptar në Maqedoni
do të shkojë drejt relativizmit, e deri në fillimin e heshtjes së problemeve
kolektive.
Andaj, tendenca e filluar e largimit të 150
mijë qytetarëve është vetëm fillimi. Të tjera shifra mund të raportohen për
largimin e shqiptarëve nga Maqedonia, por mbase në të ardhmen ato nuk do të
paraqesin statistikë interesante për të qenë lajm.
(*) Dërguar nga autori, publicist në Maqedoni