Përkthyesi me flatra

In
Memoraim për Dritan Çela
Nga
Milena Selimi
Dritan Çela do të ishte 40 vjeç sot, përkthyesi më i ri dhe i talentuar I
brezit të tij. Humbja e tij e
parakohshme ishte një ikje e rëndë jo vetëm për familjen, fëmijët, miqtë dhe të
afërmit, por edhe për mjeshtrat e letërsisë që vinin mjeshtërisht në përkthimin
e tij.
Mësuam të donim Buzzatin, Tamaron, Calvinon,
Pirandelon, të sjellë nga pena e Tanit.
Në hartën e letërsisë shqipe është shfaqur si një ajsberg që lundron në
detin e dhimbjes duke u përplasur rëndshëm në brigjet e kujtimeve, emri i
përkthyesit Dritan Çela. Ka ndodhur kjo nëpërmjet përkthimeve të magjishme, në
një udhëtim të gjatë drejt lexuesit shqiptar derisa ndali udhëtimin e vet duke
ia lënë amanetin e tij librit të të atit Zija Çela Për dashurinë shkruhet pas
vdekjes. Nderim për veprën dhe punën e tij.
Po sjellim në këtë përvjetor të tij disa nga mendimet e shkrimtarëve,
publicistëve dhe gazetarëve shqiptarë.
Aleksandër Çipa: Dritani është një model i
vërtetë i intelektualit dhe krijuesit shqiptar që u përball me dy fronte të
pazhurshme dhe të rëndë: Atë të jetës së vet familjare si emigrant dhe atë të
jetës së vet krijuese po si emigrant. Në letërsinë e sotme shqipe nuk ka sistem
njohës për shkak të shpërndarjes dhe më së shumti për shkak të gjeografisë së
tejzgjeruar të emigrimit të shkrimtarëve shqiptarë. Dritan Çela ishte shkrimtari-përkthyes
i post 90-ës. Me një valencë të lartë formimi letrar dhe me një shkollë
formimi të pazakontë edhe për shkak të atmëmësisë së tij. Buxati dhe Kalvino të
sjellë në shqipen tonë prej Dritan Çelës, kërkojnë rilexim. Pirandelo, Baricco
dhe Sciascia janë prurja e tij që meriton përfshirje në antologjinë e zgjedhur
të përkthimit shqiptar. Dritani ishte i aftë në shqipitalishten e vet, si një
Kokonë i ri , i cili natyrisht mbetet model i madh në shqipfrëngjishten e tij.
Periudha e emigracionit dhe së fundi ndërprerja harbute prej frymëheshtjes, na
rikujtojnë se këtë letërsi dhe kontribut, me peshë, në kulturën kombëtare,
duhet ta njohim dhe ta vlerësojmë për sot dhe për të nesërme.
Arian Leka: Do të ishte e mjaftë të sillnim
në kujtesë repertorin e gjuhës baladeske tek Shtegtimi i Unazës të Carine
Abate, për të kaluar më pas tek natyra përsiatëse plot kurthe abstrakte të
Dyshimi të Luciano de Crescenzo-s, gjuhën që përcjell gjithë ankthin e
absurdit të Shkertëtirës... dhe njëkohësisht fjalët majhoshe, gjithë
farfurimë të kapitujve fjalëpakë të Mëndafshit të Alessandro Baricco-s,
stilin pasionant të Thuaj zemrës, po të Suzana Tamaro-s, përballë fluturimeve
ngulmuese që të lënë pa frymë të Italo Calvino-s tek Komikat Kozmike - vepër
kjo që bën pjesë në fondin më të përzgjedhur e më të rekomanduar të letërsisë
së shekullit XX - për të provuar përherë atë shije lirie me të cilën ky
përkthyes punoi. Mbase kishte qenë shenjë, por që nuk e kuptuam në kohë, edhe
përkthimi i veprës së tij të fundit nga shqipja në italisht Fiabe albanesi,
shenjë që jo domosdoshmërisht fillon si përrallat me fjalët Na ishte një
herë... por ftesë që secili mund ta pranojë me miradijë në çdo kohë dhe moshë,
gjersa të mbetet qoftë edhe një lexues që di të çmojë të bukurën si jetë dhe si
letërsi ardhur prej një njeriu i cili, më shumë se me atë që u përfol si
sëmundja e tij, jetoi me sindromën e Piter Panit dhe shkoi pa e vrarë fëmijën
në shpirt.
Agron Tufa: Tani kishte një marëdhënie me
shkrimtarët dhe veprat që donte, të cilën mund ta quajmë, në kuptimin më të
mirë të fjalës qasje xheloze. Nga bisedat për shkrimtarë të ndryshëm
italianë, të cilët ai i njihte si askush tjetër, Tani nuk nxitohej, nuk bënte
projekte për të sjellë në kohë rekord dhe me çdo kusht në shqip "të
mëdhenjtë". Madje atij i dukej e pakuptueshme mania e nxitimit, për të
përkthyer sa më shumë shkrimtarë e vepra. Ai kishte përshtypjen se shumica e
përkthyesve, binte dashje pa dashje në sindromën e një gare atletike. Tani
kishte jo vetëm qetësinë dhe ajgëtimin e një profesionisti, por edhe mahninë
vetjake që është një atribut poetësh. Vetë pozicionimi i tij në letërsinë e
autorëve që adhuronte, ishte qasje me dashuri e brishtësi ndaj
"zemrës", ku pulson arteria më poetike e shkrimtarit. Kemi biseduar për
prozën e Italo Calvinos (të cilin e ai e donte shumë), për mundësinë e
përkthimit të romaneve të tij si "Qytete të padukshme",
"Viskonti i përgjysmuar" apo "Baroni rebel", por Tani
buzëqeshte, thoshte që "presin" dhe vetëm kur botoi "Komikat kozmike", u binda për
marrëdhëniet e veçanta të Tanit ndaj gjërave që përkthente.
Visar Zhiti: Ndoshta prandaj, shpesh, e ndiej
nevojën të shfletoj Buzzati-n në shqip, tregimet e tij dhe atë romanin me
kështjellë, ku vazhdimisht presim, presim, teksa na ikën herë-herë çfarë kemi
më të shtrenjtë. Dhe ne presim këmbëngulës, si Krishtin, presim dritën,
buzëqeshjen, fjalën, vetë vdekjen për tu grindur me të. E shfletoj atë libër
me kështjellë jete edhe për të dëgjuar fëshfërimën e erës, e cila sikur thotë
emrin e Dritan Çelës mbi mermerin e varrit të tij. E di që është shumë pak. As
libri tronditës i babait Për dashurinë shkruhet pas vdekjes nuk mjafton. Ti
bëre më shumë, Dritan. Me gjithçka.
Përkthime nga Dritan Çela
Vincenzo Sciascia Përrallë lirie (Shtëpia
botuese Apolonia, 1992)
Dino Buzzati: Gruaja me flatra (Shtëpia botuese Naim Frashëri, 1993)
Dino Buzzati: Shkretëtira e Tartarëve (SHBL 1995, LETRAT 2002)
Dino Buzzati: Një dashuri (Shtëpia botuese LETRAT, 2002)
Suzana Tamaro: Thuaj zemrës po (Shtëpia botuese Çabej, 1996)
Carmine Abate: Shtegtimi i unazës (SHBL, 1994)
Luigi Pirandello: Një, asnjë dhe njëqindmijë (Shtëpia botuese Sejko, 2002)
Luciano de Crescenzo: Dyshimi (Shtëpia botuese Naim Frashëri, 1998)
Italo Calvino: Komikat kozmike (Shtëpia botuese LETRAT, 2002)
Alessandro Baricco: Mëndafshi yt, zonjë (Shtëpia botuese LETRAT, 2003)
Fiabe albanesi (Përralla shqiptare BESA - përkthim nga italishtja në shqip,
2005)