E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, banorët rrezikojnë sëmundje infektive

Specialistët kërkojnë marrjen e disa masave për dezinfektim. Hana: Banorët e zonave të përmbytura do pajisen të gjithë më libreza shëndetësore

Përmbytjet që po mbajnë peng mijëra banorë mund të shkaktojnë epidemi. Ky është alarmi që kanë dhënë institucionet shëndetësore ndaj dhe kanë dhënë rekomandimet përkatëse për të shmangur rrezikun e mundshëm.

Lagjet e përmbytura brenda qytetit te Shkodrës rrezikojnë të preken nga sëmundje infektive, si pasojë e vërshimit të ujërave të zeza dhe krijimit të gropave septike në rrugë. Pas tre ditësh vëzhgimesh dhe inspektimesh në zonat e përmbytura në qytetin e Shkodrës, grupet e punës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik kanë dhënë rekomandimet e para.

Specialistët kërkojnë marrjen e disa masave, mes të cilave është dezinfektimi në mënyrë të vazhdueshme i pusetave të ujërave të zeza. Ndërkohë, edhe përsa i takon kujdesit shëndetësor banorëve të zonave të përmbytura, mësohet se ata do të kenë disa lehtësira.

Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e ndodhur dje pranë zonave të përmbytura dha urdhër për përdorimin e librezave të përkohshme të shëndetit, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë banorët pa asnjë pengesë. "Do të shërbehet me çdo medikament të nevojshëm për të gjithë të evakuuarit dhe shërbimi do të jetë 24 orësh", tha Hana.

Ndërkohë, banorë të qytetit të Shkodrës rrëfejnë lidhur me bashkimin e ujërave të zeza e të bardha. Remzi Pelinku jeton në një rrugicë pas pallateve në lagjen "Xhabije", në krahun e djathtë të saj, në hyrje të qytetit.

Për të shkuar tek banesa e tij dhe e disa familjeve të tjera të vjetra të këtij qytetit, duhet çizme dhe kalim nëpër disa dërrasa të vendosura mbi gurë e blloqe nga vetë banorët.

Përvç ujit që ka kaluar mbi 30 cm dhe ka hyrë në oborret e katet e para të këtyre shtëpive, mosfunksionimi i kanalizimeve ka bërë që ujërat e bardha të bashkohen me ujërat e zeza e të dalin në sipërfaqe.

Për të bërë të mundur largimin e ujit, Remziu ka vendosur një pompë thithëse në oborr, që gjithsesi është e pafuqishme për largimin e ujit.

Në cepin e oborrit, ai të afron një palë çizme për të hyrë deri në shtëpi. Aty ka mbi 15 cm ujë dhe disa nga orenditë janë çuar më lart mbi blloqe .Gjithçka ka ardhur nga mosfunksionimi i kanalit që nuk është pastruar që në vitet '80. "Para dy muajsh kam shkuar tek ndërmarrja e ujësjellësit dhe jam ankuar, por më thanë se ai është kanal i vdekur.

Tani uji i ardhur është bashkuar dhe me ujërat e zeza dhe ka hyrë kudo. Kam shkuar tek komisioni i emergjencave dhe më thanë se tani nuk bëhet gjë, pasi është i mbushur me ujë.

Mosfunksionimi i kanalizimeve i ka sjellë ujërat direkt këtu. Ka katër ditë që uji është këtu, dhe është bashkuar dhe me ujërat e zeza që shkarkohen nga wc-të e pallateve, - rrëfen Pelinku. Sipas tij, policia bashkiake ka mbërritur vetëm të hënën, duke premtuar se do u sjellë një pompë, por nuk e ka bërë. - Ia kam marrë një komshisë pompën që të mund të largoj pak ujin. Unë jetoj në kat të parë dhe gjithçka më është përmbytur".

Por në qytetin e Shkodrës, familja Pelinku nuk është e vetmja në këtë situatë, ndërkohë që apeli i dhënë nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë për rrezikun nga epidemitë ka mbetur ende pa mbështetje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›