Dëmi, ish-kreu i Hipotekës zbriti me 80 euro çmimin e truallit shtetëror
TIRANE - Ish-drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës, Gazmend Zeneli, i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria për "shpërdorim detyre", akuzohet se ka vlerësuar me 35 euro për metër katrorë një tokë shtetërore, e cila vlerën reale të saj e ka pasur 120 euro për metër katrorë. Këto janë faktet e akuzës "shpërdorim detyre", e cila është ngritur nga prokuroria në adresë të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekës, Gazmend Zeneli, në lidhje me caktimin e çmimit për një truall shtetëror që është shitur në vitin 2005. Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke pronë e shtetit, prej 6 mijë metra katrorë në zonën e ish-parkut të Autobusëve në kryeqytet. Në vitin 2005, ministria që kishte në pronësi truallin kishte vendosur ta shiste atë. Për shkak të kornizës ligjore të kohës, para se të realizohej shitja, ministria ka kërkuar me shkresë zyrtare që kreu i Hipotekës në atë kohë, të ngrinte një grup pune për të bërë vlerësimin e tokës dhe caktimin e çmimit me të cilin do të shitej ajo. Sipas hetimeve të prokurorisë, e cila pretendon se shitja i ka shkaktuar shtetit dëm të konsiderueshëm financiar, ish-drejtori i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ka ngritur formalisht një grup pune dhe në përfundim të procedurës së vlerësimit ka caktuar çmimin 30-35 euro për metër katror. Sipas hetimeve të prokurorisë, vlera reale dhe çmimi i tregut për truallin shtetëror në fjalë, në kohën kur është bërë shitja, ka qenë 120 euro për metër katrorë. Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, ish-kreu i Hipotekës i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 85 euro në secilin nga 6 mijë metrat katrorë të tokës së shitur. Tri javë më parë, për shkak të abuzimit në llogaritjen e çmimit të tokës, prokuroria thirri ish-drejtorin e Hipotekës qendrore, Gazmend Zeneli, të cilit i njoftoi akuzën "shpërdorim detyre". Hetimet filluan rreth dy vjet më parë, kur shitja abuzive e tokës shtetërore me dëm ekonomik, u denoncua në prokurori, ndërsa organi i akuzës vendosi fillimisht pushimin e hetimeve dhe më pas rihapjen e tyre për verifikimin e abuzimeve të dyshuara. Gjatë hetimit, prokuroria tha se ka marrë në pyetje mbi 20 dëshmitarë dhe ka shqyrtuar dokumente që faktojnë dëmin ekonomik në arkën e shtetit. tr.so