E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet në Shkodër, fatura financiare tre herë më lartë se në janar



Ervin KOÇI

Situata e përmbytjeve të javëve të kaluara është qetësuar disi në zonat e Shkodrës, por nevoja për ndihma humanitare nuk ka përfunduar ende, në një kohë që vetëm tani po dalin në pah demet e përmbytjes së fundit. Ditën e djeshme kur kanë nisur edhe reshjet e shiut dhe era, në qytetin e Shkodrës dhe në komuna gjendja paraqitet sërish e rëndë. Në qytet nuk ka më prezencë uji, liqeni e lumi Buna rrjedhin normalisht në shtratin e tyre, por mbrapa përmbytjeve kanë mbetur dëme të shumta e familje që kthehen në banesat e tyre krejtësisht jashtë funksionit. Në çdo familje të goditur nga përmbytja dëmet llogariten në të paktën 500-600 mijë lekë këto vetëm në orenditë shtëpiake që në të gjitha shtëpitë e përmbytura kanë dalë nga funksioni. Ndërkohë deri tani kanë nisur që të llogariten vetëm dëmet në pajisje dhe orendi shtëpiake, por dëmtimet që u janë bërë banesave dhe bizneseve ku lagështira ka mbuluar dhe ka prishur gjithçka, nuk janë përllogaritur. Sipas përllogaritjeve paraprake të bëra nga ekspertë të ndryshëm, këto përmbytje rrezikojnë të kapin një vlerë rreth 3 herë më të madhe se sa ajo e përmbytjeve në muajin janar të vitit 2010, kohë kur ndodhi edhe përmbytja e parë. Aktualisht në zonën e Shkodrës mbeten problematike komunat, Dajç, Velipojë, Bushat dhe fshati Obot në komunën Ana e Malit. Rezultojnë ende nën ujë 8 mijë e 200 ha tokë.

Dëmet në biznese
Një nga zonat ku përmbytja ka shkaktuar më shumë dëme në lokale dhe biznese në qytetin e Shkodrës është zona pranë Urës së Bunës. Fakti që këto biznese ndodhen pranë rrjedhës së Bunës ka bërë që dëmi të ishte tepër i madh. Përmbytja nuk ka shkatërruar vetëm të gjitha pajisjet e brendshme të lokaleve dhe bizneseve në këtë zonë. Prurjet e Bunës kanë qenë aq të mëdha dhe të forta sa kanë shkatërruar vetratat e dyqaneve. Më shumë se një dëm i shkaktuar nga përmbytjet pamjet ngjasojnë me një shkatërrim pas një shpërthimi. Pronarët e bizneseve flasin për një dëm kolosal. Ata presin dëmshpërblimet për të ringritur biznesin. Prezenca e varkave buzë molos të ankoruara mbi rrugë, xhamat e thyer gjithandej dhe dyqanet e boshatisura e kanë kthyer këtë vend në Shkodër, nga më të bukurit në qytet në një zonë të frikshme ku mund të jetojnë vetëm fantazmat.

Vlerësimi i dëmeve
Këshilli i Ministrave mori një javë më parë vendimin për ngritjen e komisioneve të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në vend. Këto komisione do të vlerësojnë të gjithë llojet e dëmeve në subjektet private, në banesa apo ekonominë e tyre. Komisionet do të vlerësojnë, gjithashtu, edhe dëmet e shkaktuara në infrastrukturën publike si shkolla, rrugë, ujësjellës, etj. Vlerësimi do të shërbejë si bazë për të përcaktuar edhe fondet që do të jepen për zhdëmtim. Komisionet do të fillojnë menjëherë veprimin për vlerësimin e dëmeve në zonën e Shkodrës dhe në zonat e tjera të vendit ku përmbytjet kanë shkaktuar dëme në pasuritë private e publike.

Situata
Situata në territorin e qarkut të Shkodrës pas përmbytjeve vazhdon të përmirësohet, pasi i favorizuar nga moti i mirë dhe pa reshje shiu dhe nga ulja e nivelit të liqenit të Shkodrës, po zvogëlohet sipërfaqja e tokave të përmbytura. Nga informacionet më të fundit, nga 14 mijë ha që ishte 3 ditë më parë, kjo sipërfaqe ka shkuar në 8200 ha. Kritike mbetet situata në komunat e Shkodrës, ku uji pavarësisht se po shënon rënie me disa centimetra vazhdon të mbajë nën vete banesa të shumta. Situata më e fundit në shifra në Shkodër është, 8200 ha toka nën ujë, 4660 banesa të përmbytura, ndërkohë që 650 banesa janë liruar nga uji dhe 5000 banorë janë rikthyer në shtëpi. Niveli i ujit ka shënuar një rënie prej 11 cm, por ndërsa kjo situatë është ndjerë në lagjet periferike të Shkodrës, në komuna jo. Në shumë prej tyre vazhdon situata kritike ku niveli i ujit shënon 1 metër. Ndërkaq ka nisur puna për dizinfektimin e të gjitha zonave që janë liruar nga uji, ndërsa vazhdon furnizimi me ushqime, kryesisht bukë dhe ujë të banorëve të izoluar nga uji.

KEK, ndihmë të përmbyturve në Shkodër

Punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës në mënyrë vullnetare kanë ndarë një pjesë nga paga e tyre për t’i ndihmuar banorët e Shkodrës në Shqipëri. Kjo mbështetje e punonjësve është bërë me përkrahjen e Sindikatës së punonjësve të Korporatës, SPEK. Shuma e ndarë është rreth 30 mijë euro.“Punonjësit e KEK-ut solidarizohen dhe bashkëndjejnë plotësisht me familjet që kanë pësuar nga përmbytja e fundit. Kjo ndihmë modeste po ndahet që sadopak ato familje ta kenë më të lehtë tejkalimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet”,- tha Arben Gjukaj, Drejtor i përgjithshëm i KEK-ut. Punonjësit e Korporatës u bashkohen në këtë mënyrë institucioneve të tjera që ndihmuan shkodranët në kapërcimin e vështirësive që shkaktoi përmbytja e fundit në këtë zonë. Korporata shpreson që kjo ndihmë do zbusë sadopak gjendjen e vështirë të familjeve që kanë pësuar dëme.

Moti, bora i lë vendin shiut, rriten temperaturat

Reshjet e dëborës që prekën një ditë më parë gjithë territorin e vendit duke mos përjashtuar as zonat bregdetare janë zëvendësuar nga reshjet e shiut. Në zonat malore ku bora dhe akulli kishte krijuar mjaft probleme në qarkullim tashmë ka filluar përmirësimi i situatës. Po ashtu edhe shumë komuna ku trashësia e dëborës i kishte kaluar 50 cm duke i bllokuar ato tërësisht tashmë ka filluar lëvizja drejt qyteteve. Ndërsa problemi i furnizimit me energji elektrike mbetet problem në zonat e thella pasi ka qenë e pamundur ndërhyrja për shkak të motit të keq. Ndërsa është përmirësuar furnizimi me ujë të pijshëm për shkak të ngritjes së temperaturave dhe shkrirjes së tubacioneve.

20 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›