Importi i karburanteve, rregulla të reja për depozitat në porte
Ervin KOÇI
Qeveria ka parashikuar ndryshimin e rregullave për të administruar rezervat e hidrokarbureve që depozitohen në parqet energjetike në Porto Romano dhe “Petroliferën” në Vlorë. Porto Romano, parku energjetik pranë Durrësit, i krijuar me vendim qeverie, do të operojë në bazë të disa kushteve të reja, duke nisur me lëshimin e autorizimit për çdo shoqëri private që do lejohet të tregtojë. Ministria e Ekonomisë, në bazë të dokumentacionit që disponon për “Masterplanin”, të vërë në dispozicion të shoqërive të interesuara informacionin e nevojshëm për hartimin e projekteve, kundrejt një pagese prej 10.000 lekësh. Objektet energjetike dhe industriale, që do të kërkohen për t’u ndërtuar në “Zonë”, duhet të jenë të njëjta ose brenda natyrës dhe fushave të veprimtarive, në përputhje me parashikimet në “Studim” dhe në “Masterplan”. Në zonën energjetike, në përputhje me kapacitetet e parashikuara në masterplan për një objekt energjetik ose industrial, mund të ndërtohen dhe të shfrytëzohen, nga subjekte të ndryshme, disa objekte të së njëjtës natyrë, kapaciteti i përbashkët i të cilave është i përafërt me kapacitetin e parashikuar në “Masterplan” për këtë lloj veprimtarie.
Rregullat e reja
Në sipërfaqet e tokës, që janë përfshirë brenda kontureve të “Zonës”, sipas “Masterplanit”, nuk do të lejohet dhënia e lejeve dhe miratimeve për ndërtimin e objekteve për veprimtari prodhuese ose shërbimesh, të cilat nuk u përkasin fushave të energjetikës, industrisë dhe shërbimeve, sikurse përcaktohen në qëllimin dhe objektin e “Studimit”. Për ndërtimin e infrastrukturës së transportit rrugor dhe të atij teknologjik të produkteve dhe mallrave, me investime publike ose private në sipërfaqet e tokës që janë në pronësi shtetërore, në kuadër të “Zonës”, toka do të merret në përdorim pa shpërblim për gjithë periudhën, gjatë së cilës investitori do të ketë të drejtën për atë infrastrukturë transporti rrugor ose teknologjik. Kur toka është në pronësi private, marrëdhëniet ndërmjet investitorit, që do të ndërtojë infrastrukturë transporti rrugor ose teknologjik dhe pronarit të tokës, do të zgjidhen ndërmjet palëve në përputhje me dispozitat e kuadrit ligjor në fuqi. Për rastet kur për të njëjtën sipërfaqe paraqiten njëkohësisht më shumë se një aplikim, grupi i punës i ngritur për vlerësimin e kërkesave i paraqet ministrit sugjerimin për trajtimin mbi bazën e konkurrimit të këtyre kërkesave. Procedurat e konkurrimit të jenë të ngjashme me ato të koncesioneve.
Shkurt...................................
ILO: Kriza solli ulje të pagave në të gjithë botën
Organizata Botërore e Punësimit “ILO”, ka nxjerrë së fundmi “Raportin e pagave”, ku vihet re se në gjithë botën ka pasur rënie të konsiderueshme të pagave. Rënia ka qenë më e thellë për vendet e Azisë Qendrore dhe për një pjesë të Evropës. Në raport vihet re se, rritja e pagesave mujore në nivel botëror, ka rënie dhe konkretisht, se rritja e pagave mujore mesatare është ngadalësuar nga 2.8% në vitin 2007, në 1.5% në vitin 2008 dhe 1.6% në vitin 2009. Sipas këtij raporti, është rritur numri i personave në mbi 50% të vendeve të cilët përfitojnë një pagesë më të vogël se dy të tretat e pagës mesatare. Organizata e punësimit deklaron se vendet të cilat janë prekur nga rënia ekonomike, duhet ta kthejnë vëmendjen e tyre tek punësimi dhe rritja e pagave në mënyrë që këto vende të rimëkëmben. Në vijim, raporti thotë se ritmi i rimëkëmbjes për shumë ekonomi do të varet pjesërisht edhe nga masa me të cilën do të përdoret paga për konsum. Për realizimin e këtij raporti, janë analizuar të 94% e të rreth 1.4 miliardë rrogëtarëve në mbarë botën të dhëna këto nga 115 vende.
Patos, 40 mijë banorë pa ujë të pijshëm
Rreth 40 mijë banorë të qytetit të Patosit, por edhe rrethinave të tij kanë ngelur pa ujë të pijshëm që prej ditës së djeshme për shkak të vjedhjes së rreth 2.5 km kabëll të tensionit të lartë 6 mijë volt në zonën e Cakranit. Kjo linjë furnizon me energji elektrike stacionin e pompave të ujit në fshatin Varibob nga ku furnizohet qyteti i Patosit. Policia, drejtues të ujësjellës Patos si dhe specialistë të kësaj ndërmarrje kanë inspektuar zonën ku është vjedhur kabllit prej bakri. “Janë marrë rreth 7 shtylla dhe tel 2 kilometra e gjysmë. Rreth një javë përpara kanë vjedhur edhe në komunën e Cakranit panelet tek stacioni në Selitë”,- tha Kudret Rama, përgjegjës i stacionit të pompave. “Është hera e dytë që ndodh i njëjti fenomen në segmentin Cakran-Varibob. Është bërë për t’u ardhur keq që qytetarët mbetën sërish pa ujë, megjithatë forcat tona do ta zëvendësojnë përsëri vetë”- tha Baftjar Gropa, drejtor i Ujësjellësave. Linja që furnizon stacionin e pompave të qytetit të Patosit është vjedhur 2 herë brenda një muaji duke krijuar mungesa në furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin një intervale kohore prej një jave.
Mbledhja, BSH do të diskutojë mbi politikën monetare për 2010-n
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë javën e ardhshme mbledhjen e fundit për këtë vit, ku pritet të diskutohet raporti i Politikës Monetare për muajin dhjetor të vitit 2010. Në axhendën e punimeve vend të rëndësishëm do të zërë edhe diskutimi i projektit "Për miratimin e Programit Monetar për vitin 2011", "Për disa ndryshime në rregulloren "Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave" dhe në rregulloret "Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit" e "Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka", si dhe informacionet tremujore "Për borxhin e jashtëm" dhe "Për bilancin e pagesave".
BE vendos, mbështetje krizës së euros për të ruajtur stabilitetin
Samiti i Bashkimit Europian në Bruksel, jep papritmas një mesazh shpëtimi për vendet e eurozonës. Kjo formë shpëtimi do të hapet nga viti 2013 dhe do të zëvendësojë fondet miliardëshe të deritanishme për vendet e eurozonës në vështirësi. Pjesëmarrësit në këtë samit dhanë sinjalin e parë për ti dhënë dorën Europës për të ruajtur pozitat euro. Në këtë samit pjesëmarrëse ishte edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila bashkë me disa pjesëmarrës të tjerë, lëshuan një mesazh drejtuar tregjeve financiare, duke thënë se, BE nuk lë në baltë asnjë anëtar të tij.
20 Dhjetor 2010