Pengmarrja për borxhin, RENEA liron personin e rrëmbyer
TIRANË – Përfundon pas një ore pengmarrja e organizuar nga dy persona për borxhin. Pasditen e djeshme, pas një sherri, Mensur Lita, në bashkëpunim me një shtetas, ka rrëmbyer Nazmi Pepën duke e futur forcërisht në mjetin e Litës. Dëshmitarë të rastësishëm kanë lajmëruar policinë, e cila u vu në ndjekje të autorëve të rrëmbimit, ku u përfshinë në operacion edhe forcat RENEA. Pas rreth një ore është identifikuar vendndodhja e 35-vjeçarit Pepa dhe u bë e mundur që të lirohet në fshatin Domje, në periferi të Tiranës. Autorët e ngjarjes, kur kanë parë se po ndiqeshin, kanë tentuar që të devijojnë rrugën dhe e kanë lënë pengun në mes të rrugës, duke u larguar. Por, prania e madhe e forcave policore dhe bllokimi i të gjitha akseve të qarkullimit çoi në pranga 34-vjeçarin Lita, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Në polici është shoqëruar edhe pengu Nazmi Pepa, për të zbardhur më shumë detaje nga kjo ngjarje. Sipas të dhënave, shkak i pengmarrjes ka qenë një debat i bërë rreth orës 17:00 në një lokal për borxhin rreth 30 mijë euro që Pepa i kishte Mensur Litës. Por, ende nuk ka të dhëna të sakta për shkaqet e kësaj ngjarjeje që alarmuan policinë për rreth 70 minuta.
20 Dhjetor 2010