E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër mbajnë peng Kuvendin e PD

Selia blu
Axhenda politike brenda Partisë Demokratike është spostuar

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike pritet ta mbajë mbledhjen e tij të parë në fillimin e muajit shkurt. Burime pranë PD-së bënë të ditur se shtyrja e mbledhjes së parë të këtij këshilli ka ardhur si rezultat i situatës së paparashikuar të përmbytjeve në veri të vendit. Si rezultat i deklarimit të gjendjes së emergjencës të shpallur nga rreziku i përmbytjeve, pjesa më e madhe e ministrave të mazhorancës janë pjesë e komisionit të emergjencës, i cili po e ndjek orë pas ore situatën. Po kështu, edhe angazhimi pothuajse total i Kryeministrit Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, në normalizimin e situatës në veri të vendit do të sjellë shtyrjen me një javë të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së. Ky organ i lartë drejtues, sipas Kryeministrit Berisha, pritej që të mblidhej për të zgjedhur Kryesinë e re të Partisë Demokratike, po kështu edhe sekretariatin e partisë, duke përfshirë edhe nënkryetarët. Këshilli i ri Kombëtar i PD-së u zgjodh në fundin e muajit dhjetor, nga ana e Kuvendit Kombëtar. Delegatët në Kuvend, të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, zgjodhën nëpërmjet votimit të fshehtë edhe 100 anëtarët e këtij këshilli. Tashmë është detyra e anëtarëve të Këshillit Kombëtar zgjedhja e organeve të tjera drejtuese. Kryeministri Berisha deklaroi në fundin e muajit dhjetor, se në Kryesinë e re të PD-së pritet të ketë ndryshime të shumta, ashtu siç ndodhi edhe në rastin e anëtarëve të këshillit. Ky i fundit është i përbërë në 1/3-at e tij nga anëtarë të rinj, ku spikatën edhe emra të konsideruar si jashtë politikës, siç ishte rasti i përfshirjes mes fituesve edhe i emrit të këngëtares çiljeta Xhilaga. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë, njëkohësisht kryetar i PD-së, deklaroi se do të ketë edhe një zgjerim të numrit të sekretarëve në parti. Aktualisht PD-ja ka gjithsej 10 sekretarë, duke përfshirë edhe nënkryetarët e PD-së. Mosmiratimi i ndryshimeve në statut për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare, duhet se do të bëjë që të mos ketë shumë surpriza për sa u përket edhe kandidaturave ose fituesve. Statuti i PD-së thekson se është vetë kryetari i PD-së, njëkohësisht Kryeministri Berisha personi që përzgjedh kandidaturat për kryesinë dhe për sekretariatin, kandidatura të cilat më pas kalojnë për votim.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›