“Përmbytjet nuk erdhën nga Zoti
Leskaj
Një grup deputetësh socialistë, të kryesuar nga Valentina Leskaj, inspektuan sërish dje zonat e përmbytura në zonën e Shkodrës. Duke u ndalur në zonën e Livadhes, Leskaj në një komunikim me mediat tha se situata në këtë pjesë të përmbytur është mjaft e vështirë, ndërsa fajësoi edhe një herë qeverinë shqiptare si përgjegjëse të kësaj përmbytjeje. “Kjo përmbytje nuk ka ardhur nga Zoti”, vijoi Leskaj, duke theksuar në këtë mënyrë se nuk bëhet fjalë për një përmbytje natyrore, sikundër pretendon mazhoranca. Gjatë gjithë këtyre ditëve, deputetë të ndryshëm të kryesuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, kanë vizituar dhe janë interesuar për banorët e zonave të përmbytura. Dy ditë më parë Rama u ndal në zonën e Trushit, Kirasit dhe lagjen Zooteknik të Shkodrës. Në këto takime ai bëri me dije se PS do të jetë çdo ditë e pranishme aty ku ka përmbytje.
#