Prifti informon Presidentin për gjendjen e emergjencës
Ministri i Ekonomisë: Sipas të dhënave, situata drejt përmirësimit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pati dje një takim pune me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zotin Dritan Prifti. Biseda u mbajt në serinë e disa takimeve dhe konsultimeve intensive, që kreu i shtetit po zhvillon me drejtues institucionesh, ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike dhe u fokusua në situatën e përmbytjeve në veriperëndim të vendit të shkaktuar nga reshjet dhe nga derdhjet e kontrolluara të ujërave të liqeneve në kaskadën e lumit Drin.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Prifti e informoi në mënyrë të detajuar Presidentin Topi për gjendjen e tre ujëmbledhësve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin si dhe me monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të ujit, prurjeve dhe shkarkimeve e kontrolluara nga specialistët dhe ekspertët hidrikë, duke e siguruar kreun e shtetit se situata është drejt përmirësimit. Presidenti Topi pasi u njoh me hollësi rreth situatës së fundit, theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe frymës së solidaritetit nëpërmjet një organizimi më kompleks, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo situatë e vështirë dhe të minimizohen dëmet në maksimum, duke iu rikthyer normalitetit.
Dy ditë më parë, Presidenti Topi u njoh nga afër dhe me hollësi nga prof. Farudin Hoxha lidhur me situatën e hidrocentraleve dhe gjendjen e digave në kaskadën e lumit Drin, ku inxhinieri Hoxha ka qenë një nga projektuesit dhe ndërtuesit, duke mbetur një nga hidrologët më të aftë e më të njohur në vend në këtë fushë. “Ka një mesazh që unë dëshiroj të jap sot si President i Republikës në vazhdim të atij mesazhi që kam dhënë nga Dajçi: dhe ky është që të gjithë pa përjashtim, të gjitha institucionet, mbarë politika, të gjithë qytetarët duhet të rrisin ndjeshëm bashkëpunimin”, tha Topi.
#