E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: Ballkani të shpejtojë reformat

Kreu i politikës së jashtme të BE-së paraqet prioritetet në Parlament
Kreu i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, baronesha Kethrin Eshton, ka kërkuar reforma të forta dhe të thella nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht themelor për integrimin në BE. Zonja Eshton ka mbajtur dje fjalën para Parlamentit Europian, në seancën dëgjimore për miratimin e komisionerëve të rinj të kabinetit të dytë të Hoze Manuel Barrozos. “Të nxisim reformat e mirëfillta politike në Ballkanin Perëndimor dhe të sigurojmë se i gjithë rajoni futet suksesshëm në rrugën e integrimit të mundshëm në Bashkimin Europian. Kemi marrë hapa pozitivë për liberalizimin e vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Përveç kësaj na nevojitet një strategji efektive për të tejkaluar ngërçin politik në Bosnjë-Hercegovinë”. Në fakt, pasuesja e Solanës ka përmendur me emër të gjithë shtetet e rajonit tonë dhe ka “harruar” Shqipërinë. Gjithsesi, britanikja që drejton politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së ka bërë të ditur para Parlamentit Europian se pozicioni i Bashkimit Europian në politikën e jashtme është që të jetë “më i fortë dhe më i besueshëm në të gjithë botën. Baronesha Eshton ka deklaruar se Europa e Bashkuar do ta shtojë më shumë stafin e saj diplomatik me 5 mijë zyrtarë të shpërndarë në të gjithë botën. Parlamenti Europian ka nisur seancat dëgjimore për Komisionin e ri, ndërkohë që Ashton theksoi se Afganistani, Izraeli dhe territoret palestineze, Rusia, Afrika e Veriut dhe Koreja e Veriut do të jenë prioritetet e politikës së jashtme të BE-së.
Presidenca
Në muajin e tretë të këtij viti, Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian ka organizuar zhvillimin e një konference të gjerë për Ballkanin Perëndimor, që do të zhvillohet në Sarajevë. Një eveniment që është përmendur nga vetë shefi i diplomacisë spanjolle, Miguel Angel Moratinos, gjatë një takimi që ka pasur me disa raportues të BE-së për rajonin. Strategjia e presidencës spanjolle për Ballkanin në fakt është një vazhdim i politikës së ndjekur edhe nga Suedia, që konsiston me braktisjen e qëndrimit “En block” dhe kualifikimin një për një të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij matësi, Shqipëria është shteti i parafundit për sa u përket standardeve, ndërkohë që ka qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi që ka hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, madje edhe ka firmosur MSA-në shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi. Por politika e Brukselit ka qenë mjaft avancuese me shtetet e ish-Jugosllavisë, duke përshpejtuar mjaft procedurat për Beogradin. Para dy ditëve, Presidenca spanjolle e BE-së ka informuar shtetet anëtare mbi aplikimin e Serbisë për statusin e vendit kandidat. Pra kemi të bëjmë me një “procedurë rrufe” nga dorëzimi në futje në axhendë. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e dorëzoi kërkesën në prill dhe Këshilli i Ministrave u shpreh rreth një muaj më parë.
Qëndrimi i Presidencës spanjolle të BE-së në lidhje me aplikimin e Beogradit ishte që “ta dorëzojë atë në moment dhe në kohën e duhur”. Sipas të gjitha gjasave, Komisioni Europian në mars ose në prill do të japë opinionin e tij për kërkesën e Serbisë për statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, Shqipëria pritet që të vonohet sërish si pasojë e situatës politike në vend dhe sipas të gjitha gjasave nëse nuk do të ketë dialog politik dhe konsensus për reformat e mëdha, Serbia mund ta marrë para nesh statusin e vendit kandidat dhe Shqipëria do të mbetet vetëm përpara Bosnjës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›