E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia anulon ceremoninë dy ditë para 97-vjetorit

Të huajt u ftuan me vonesë. Burgaj: Anulimi për shkak të përmbytjeve
Sivjet, policia shqiptare mbushi 97 vjet. Por, zyrtarët e shtetit shqiptar nuk ia kanë uruar asaj si çdo vit tjetër. Shkak për këtë është bërë situata e përmbytjeve në Shkodër, ndërkohë që për këtë ditë janë kujtuar vetëm ish-punonjësit e policisë, të cilët kanë dalë në reformë gjatë viteve të shkuara nga politikat e ndjekura të pushtetarëve shqiptarë. Brenda 20 vjetëve demokraci, kjo është hera e dytë që policia shqiptare nuk organizon një festë, pasi radhën e parë ka ndodhur në vitin 2004, kur ndodhi ajo e ashtuquajtur “tragjedia e 9 janarit”. Por ndryshe nga 6 vjet më parë, këtë herë policia kishte organizuar një festë, megjithëse është kujtuar vetëm dy ditë para saj ta anulojë. Ajo është anuluar nëpërmjet një letre dërguar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të gjithë personat që ishin ftuar për të marrë pjesë. Madje, ky nuk ka qenë i vetmi problem, por mësohet se edhe ftesat për përfaqësitë e huaja janë dërguar shumë vonë.
Anulimi i përvjetorit
Pak ditë më parë, policia lajmëroi shumë institucione shqiptare se më 13 janar, pra ditën e djeshme, do të ketë një ceremoni me rastin e 97-vjetorit të policisë shqiptare. Ftesat u dërguan edhe për disa organizma të huaj. Por, ftesat për organizmat e huaja mësohet se janë dërguar vetëm tri ditë para zhvillimit të ceremonisë dhe nga informacione të pakonfirmuara mësohet se asnjë nga të ftuarit nuk kishte aprovuar pjesëmarrjen. Nga ana tjetër, duke mbetur në këtë vorbull, policia shqiptare, dy ditë më parë, ka nxjerrë një tjetër lajmërim. Në të ka lajmëruar anulimin e festës. Megjithatë, ky lajmërim nuk u ka shkuar të gjithëve për shkak të kohës së shkurtër dhe disa prej të ftuarve kanë menduar deri dje paradite se do të ishin në këtë ceremoni të policisë dhe vetëm gjatë ditës së djeshme, kanë mësuar të kundërtën.
Sipas të dhënave, mësohet se policia, pavarësisht angazhimeve në terren, kishte planifikuar gjithë mbarëvajtjen e ceremonisë, por nga drejtues të Ministrisë së Brendshme u është mohuar një veprim i tillë. Kështu, në lajmërimin e dërguar për së dyti, ata kanë sqaruar situatën. Një kopje e tillë është siguruar edhe nga gazeta “Shqip”, ku deklarohet se “në kuadër të 97-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit ishte programuar zhvillimi i një ceremonie zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”. “Ju bëjmë me dije se aktiviteti i programuar më datë 13 janar 2010 nuk do të zhvillohet, për shkak të angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit për përballimin e situatës në zonën e Shkodrës”, deklarohet në letrën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku duke falënderuar për mirëkuptimin, është firmosur dhe vulosur nga kreu i policisë, Hysni Burgaj. Madje, Burgaj, të vetmen përshëndetje për përvjetor e ka bërë gjatë një ceremonie për marrjen e mjeteve në dorëzim.
Të hequrit nuk harrojnë
Ashtu si edhe vitet e tjera, punonjësit e policisë të dalë në reformë nuk kanë harruar të kujtojnë krijimin e Policisë së Shtetit, pavarësisht se shprehin indinjatën për padrejtësitë që janë bërë në kurriz të tyre. Ata e kanë lidhur jetën e tyre me policinë dhe pavarësisht politikave që janë ndjekur duke i dëmtuar profesionalisht, por edhe ekonomikisht, vazhdojnë ta quajnë veten punonjës policie. Shkëlzen Rexhepi, i diplomuar në Akademinë e Rendit në vitin 2002, dhe i dalë në reformë në vitin 2008, është shprehur se ende kujton me dhimbje ditën që sapo kishte nisur të inkuadrohet plotësisht, e hoqën nga policia pa asnjë motiv. Këto fjalë i ka shprehur në ceremoninë e organizuar nga Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në lirim, e organizuar në ambientet e Akademisë së Arteve.
Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Besnik Bakiu, u shpreh në fjalën e tij se në këtë përvjetor, nderimi i parë shkon për të rënët në krye të detyrës, të cilët për fat të keq nuk janë të paktë në numër, por afro 250 dëshmorë. “Respekti ndaj tyre është respekt, jo vetëm për policinë, por për gjithë shoqërinë shqiptare dhe ky respekt kërkon minimalisht rregullim ligjor të statusit të familjeve të tyre, duke mos u banalizuar me faljen e rrogës mujore të ndonjë zyrtari të lartë të shtetit, kutitë e ndihmave të vendosura korridoreve të komisariateve apo dhuratat për Vitin e Ri. Siç thotë Migjeni, “mjerimi s’do mëshirë, por do vetëm të drejtë”, është shprehur në fjalën e tij, Bakiu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›