E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, vazhdojnë ndihmat nga Greqia, Turqia e Gostivari

TIRANë- Shteti grek vijon ti vijë në ndihmë Shqipërisë për përballimin e situatës në zonat e përmbytura në veriperëndim të vendit. Gjatë një kontakti telefonik, me ministrin e Jashtëm plotësues të Greqisë Dhimitros Dhrucas, zv. kryeministri Meta mori garancinë se shteti helen do të vijojë të ofrojë në praktikë ndihmën e saj për banorët e zonave të përmbytura. Greqia ka dërguar tashmë një grup prej 29 personash të Trupës së Zjarrfikësve me katër makina, 2 varka, 19 pompa me benzinë dhe 5 pompa elektrike. Gjatë ditëve në vijim pritet të mbërrijnë në Shqipëri me koordinim me shërbimin e bashkëpunimit zhvillimor ndërkombëtar të ministrisë së jashtme, ndihmë humanitare që do të përbëhet mes të tjerave nga 3.5 ton ushqime, 1 ton ilace si dhe pajisje për përballimin e përmbytjeve si gjenerator dhe pompa uji. Autoritet kompetente greke janë në tratativa me Kryqin e kuq grek për dërgimin e një ndihme shtesë prej 1.2 tonë ushqimesh. Edhe Turqia ka dërguar ndihma për banorët e zonave të përmbytura. Fondi i Emergjencave pranë Kryeministrisë së Republikës të Turqisë, ka vendosur që për të dëmtuarit nga përmbytjet më datë 13 janar 2010 të dërgojë në Tiranë një avion të posaçëm me medikamente, pajisje mjekësore, ushqime, bashkë me 5 mjekë dhe 5 punonjës të shëndetësisë, njoftoi sot Ambasada e Republikës së Turiqisë në Shqipëri. Sipas këtyre burimeve, edhe shoqëritë turke që veprojnë në Shqipëri parashikojnë që në mënyrë të koordinuar të japin ndihma për popullin mik shqiptar. Komuna e Gostivarit ka kontribuar më shumën 10 000 euro për të ndihmuar qytetin e Shkodrës, i goditur nga përmbytjet që përfshinë Shqipërinë e Veriut. Kryetari i komunës së Gostivarit ka marrë vendim për ndihmë financiare për zbutjen e pasojave nga përmbytjet. Sipas kryetarit të komunës, Rufi Osmani, një gjest i tillë është shfaqje e solidaritetit të qytetarëve të komunës së Gostivarit me qytetarët shkodranë. "Ky është kontribut simbolik që të zbuten pasojat nga katastrofa natyrore. Numër i madh i qytetarëve dhe shoqatave nga Gostivari shfaqën gatishmëri të ofrojnë ndihmë për popullatën nga rajonet e përmbytura në Shqipëri", deklaroi Osmani.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›