Hapja e portave nga Maqedonia, Prifti: Nuk do krijohen probleme
TIRANE- Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti ka reaguar lidhur me hapjen e portave nga Maqedonia. Ai ka shpjeguar se nuk do të krijohen probleme, pasi shkarkimet nga pala maqedonase do të jenë në nivele shumë të ulta, rreth 110 metrave kub në sekondë. “Kemi pasur kontakt me Koorporatën Elektroenergjetike të Maqedonisë që në mëngjes. Ata na kanë thënë se nga liqeni do të shkarkohen sot 110 metër kub për sekond, cka është totalisht e papërfillshme për sistemin tonë. Ne përballurm një rast vërshimesh që ndodhin 1 në 100 vjet dhe përderisa arritëm ti përballomin me sistemin tonë maksimal, them se cdo lloj situate që mund të vijë, jap garanci që me sistemin tonë ta përballojmë” theksoi ministri Prifti. Kreu i Energjetikës ka deklaruar gjithashtu, se situata në kaskadën e lumit Drin është përmirësuar dhe pritet që brenda 2-3 ditëve të ardhshme, të mbyllen portat e hidrocentraleve. “Kemi përmirësim të situatës në kaskadën e Drinit, niveli i Fierzës i Komanit e Vaut të Dejës vazhdon të ketë ulje. Ne kemi porositur një ulje tjetër të shkarkimeve me synimin që pas 2-3 ditësh të ndërpresim shkarkimet” u shpreh Prifti. (e.n/BalkanWeb)