“Përmes këtij vendimi ekzekutivit godet burokracinë dhe korrupsionin”
Qeveria miraton “one stop shop” për lejet dhe licencat në fushën e energjisë
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje ngritjen e sportelit të vetëm, “one stop shop”, për lejet dhe licencat në fushën e energjisë, në Qendrën Kombëtare të Licencimit.
Berisha theksoi se ky vendim është një hap i rëndësishëm për thjeshtimin dhe lehtësimin e pajisjes së investitorëve me leje dhe licenca, në fushën e energjisë.
“Një numër i madh lejesh dhe licencash që nevojiten për investime në fushën e energjisë, - tha Kryeministri - kalojnë që të gjitha në sportelin unik, në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, e cila shënon një sukses të vërtetë që brenda vitit të parë të ‘jetës’ së saj. Gjatë dy muajve të fundit, Ministria e Ekonomisë ka rishqyrtuar të gjitha procedurat ligjore e nënligjore që nevojiteshin dhe me këtë vendim shënojmë një hap shumë të madh përpara në thjeshtimin, lehtësimin e pajisjes me leje dhe licenca të investitorëve në fushën e energjisë”.
Një tjetër aspekt të rëndësishëm i këtij vendimi, kryeministri vlerësoi goditjen që i jepet burokracisë dhe korrupsionit.
“Me kalimin në qendrën unike të pajisjes së investitorëve me leje dhe licenca u bëhet një lehtësim i madh. Së dyti, i jepet një goditje si korrupsionit, ashtu edhe burokracisë, sepse Qendra informon menjëherë ministrin, Kryeministrin e me radhë, në rast se Agjencitë respektive nuk i përgjigjen në kohën e përcaktuar me ligj për lejet dhe licencat. Mendoj se është bërë një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme”.
Kreu i qeverisë ripohoi se energjia mbetet ndër prioritetet madhore për qeverinë dhe vendin.
“Në qoftë se 30 vjet me radhë në këtë vend nuk u shënua qoftë edhe një burim i vetëm energjie, kam shumë kënaqësi të informoj shqiptarët se gjatë tre viteve të fundit, janë firmosur mbi 200 kontrata për hidrocentrale të të gjitha madhësive nga të vegjël, deri tek më të mëdhenjtë në Europë. është firmosur kontrata për kaskadën e Devollit, me mbi 1 miliard euro dhe kompani ndër më serioze në Europë po punojnë intensivisht për të ndërtuar aty një nga veprat energjetike më të arrira të kohës, po punohet me intensitet në Kalivaç, po punohet gjithashtu, me intensitet në Ashtë, si edhe në 36 hidrocentrale të tjera të vegjël e të mesëm dhe me kënaqësi mund t’u them se 2 apo 3 prej tyre janë të gatshëm për inaugurim, me kapacitet 8-10 megavat. Burimet energjetike po shtohen gjithnjë e më shumë”, u shpreh Kryeministri.
Procesi i investimit në fushën e energjisë, tha kryeministri, nuk është thjesht vetëm një proces lejesh e licencash, është një proces më kompleks, por lejet dhe licencat marrin me këtë vendim përgjigjen më të shkëlqyer.