Berisha: Anëtarësimi në BE, rruga më e shkurtër për të kapur kohën e humbur. Lohan: "Dialog politik për integrimin"

Kreu i qeverisë referon në konferencën me temë “Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE”, ku morën pjesë ambasadorët Saba D’Elia dhe Helmut Lohan dhe njëherazio edhe ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu
Shefi i ekzekutivit shqiptar Sali Berisha shprehet se 96 % e shqiptarëve duan integrimin dhe se anëtarësimi në familjen europiane është rruga më e shkurtër për të kapur kohën e humbur. Berisha vuri në dukje se për ndjekjen e këtij kursi qeveria ka implementuar reformat më të rëndësishme, të cilat e kthyen Shqipërinë në vëmendjen e ndërkombëtarëve. “Anëtarësimi në BE është procesi më serioz nëpërmjet të cilit shqiptarët duan të kapin kohën e humbur. Procesi i integrimit në BE ku është angazhuar vendi im, është më seriozi dhe më i vështiri, sepse duhet të jetë i bazuar në merita, sepse duhet përmbushim standardet e vlerave dhe të arritjeve të vendeve anëtare. Ato janë konkrete dhe pëcaktuese e në arritjen e tyre ndihma e Italisë ka qenë dhe do të jetë e çmuar, sepse askush më shumë se Italia nuk e njeh këtë vend, këtë popull, këtë rajon”, tha kryeministri Berisha. Duke iu referuar disa shembujve, ai tha se mbështetja e gjithanshme e Italisë për Shqipërinë duket në aspektin ekonomik ku vetëm 2 vitet e fundit, investimet e kompanive italiane në Shqipëri kanë qenë 5 miliardë euro, por edhe në faktin që ministri i jashtëm Fratini ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të procesit të liberalizimit të vizave. “Shqipëria në këto 20 vite u shndërrua nga një ndër 3-4 vendet më të varfra të planetit, në një vend që u shkëput nga grupi i vendeve të varfra. Solidariteti i kombit italian, i gjithanshëm në këtë proces, ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Shqipëria ka qenë vendi i investimeve të huaja, të ndaluara me Kushtetutë. Vetëm 2 vitet e fundit me kompanitë e mëdha italiane janë firmosur investime prej rreth 5 miliardë euro. Shqipëria, para 4-5 vitesh ka patur probleme madhore, serioze, me krimin e organizuar. Sot Shqipëria ka një standard tjetër, i cili bazohet në treguesit e kriminaliteti më të ulët së mesatarja e Bashkimit Evropian në tërësi. Dhe në këtë kontekst, agjencitë e zbatimit të ligjit të Italisë, kanë dhënë ndihmën më të fuqishme, më kryesore”, tha mes të tjerash kryeministri Berisha.
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu tha se kryefjala e procesit të integrimit është mbështetja masive e shqiptarëve, në një proces jo të lehtë që çdo ditë sjell detyrime të reja. “Një nga sfidat tona kryesore në këtë proces është tërësia e akteve ligjore në përputhje me acquis communautaire. Deri tani kemi 70% të legjislacionit në përputhje me BE-në, ndërkohë që edhe respektimi i kritereve të Kopenhagenit është kryesor në marrëdhënien tonë integrale me BE-në”, tha znj.Bregu që vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Itali.Nga ana e tij, ambasadori i KE-së Helmut Lohan përcolli sërish mesazhin e qartë partive politike për dialog konstruktiv, si element i nevojshëm për të ecur drejt Bashkimit Europian. “Një prej zonave ku duhet të inkurajojmë është fryma e diagolut konstruktiv politik mes të gjithë shqiptarëve, ky është i nevojshëm për të ecur përpara drejt BE- së. Fryma e dialogut duhet shfaqur mbi të gjithë në kuvend që është një vend institucional”- u shpreh Lohan. Ai vlerësoi gjithashtu shpejtësinë e dorëzimit të pyetësorit për statusin e vendit kandidat të Shqipërsië dhe tha se reagimet e para të ndërkombëtarëve janë pozitive.
...