E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, nuk e pranojnë dhëndër në fshat, hakmerret me vreshtat dhe ullishtat

O do të bëhesh e imja, ose ty nuk të fal përjetë. Ka qenë ky kërcënimi gojor i një të riu përmetar karshi një vajze fshati, e cila ka refuzuar në mënyrë permanente të ishte pjesë e jetës së të riut. Ky i fundit, nga inati ka masakruar gjithë drurët frutorë të fshatit tek familjet e krishtera. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bodar të Përmetit, kur Ardijan Metko, 33 vjeç, ka prerë rreth 530 rrënjë hardhie dhe disa rrënjë ulliri si dhe ka grabitur tubon e vaditjes së tokave të fshatit, pronë e Ndërmarrjes së Ujërave. Ky akt ka ardhur në momentet kur i riu kishte humbur çdo lloj shprese për të bërë të tijën një vajzë me emrin M. S., nga i njëjti fshat. Megjithëse kishte shkuar tek prindërit e saj për të kërkuar dorën, atij iu refuzua të ishte bashkëshorti i ardhshëm i vajzës së tyre për të vetmen arsye, se nuk është i fesë së tyre. Djaloshi me besim mysliman, njihet në fshat edhe si person me probleme psikike, por jo i certifikuar ligjërisht për këtë sëmundje. Gjithçka ka ndodhur në orët e mbasdites së të mërkurës, kur Metko kishte mbaruar punë me të gjitha hardhitë e fshatit, duke i lënë familjet pa prodhime vreshtarie. I pari që ka konstatuar shkatërrimin e drurëve frutorë ka qenë një i moshuar, i cili ka lajmëruar burrat e fshatit që ishin mbledhur në qendër për atë që kishte ndodhur. Nga ana e tyre, burrat që kuvendonin në qendër të fshatit nuk e besuan alarmin e dhënë nga i moshuari, pasi nuk mund të besohej një lajm i tillë i pabesueshëm në ditën e gënjeshtrave. Mirëpo kur kanë parë nga afër atë çfarë kishte ndodhur, lajmëruan menjëherë policinë e Përmetit për të identifikuar dhe kapur autorin e kësaj kasaphane tek drufrutorët. Specialistët dhe agjentët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, pasi kanë mbërritur, arrestuan Metkon në flagrancë. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 copë tubo 30 polëshe një metër të gjata secila, dy gërshërë për krasitje hardhish, dy sëpata, një çekiç i rëndë (vare), një levë qysqi etj. Të gjitha këto materiale i riu i ka përdorur për të prerë të gjitha rrënjët drufrutorë. Sipas banorëve të fshatit, Metko ka pasur probleme me veten e tij prej kohësh dhe nuk ishte në gjendje të formonte familje. Duke parë se iu refuzua të hynte në një familje ortodokse, të gjithë banorët që i përkasin këtij besimi në fshat për të ishin veçse armiq dhe kjo ka mjaftuar që atyre tu shkatërroheshin abuzivisht të gjitha vreshtat. Policia nga ana e vet ka kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprat penale të vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës.

Last Updated on Thursday, 02 April 2009 23:14

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›