E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Kodheli: Topalli shkeli të drejtat e opozitës

Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, deklaroi dje se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shkelur të drejtat e opozitës. “Kryetarja e Parlamentit është ajo që po e bën Shqipërinë gazin e botës, duke mos respektuar dhe duke shkelur të gjitha të drejtat që i takojnë opozitës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në përfaqësimin e saj jashtë. Ky është një turp që duhet të marrë fund, sepse koston e këtyre veprimeve i paguajnë shqiptarët dhe imazhi i vendit tonë. Letra është në dispozicionin tuaj”, - tha Kodheli. Sipas saj, letrat e PS-së drejtuar Këshillit të Evropës kërkonte që anëtarët e delegacionit të miratoheshin në proporcion. Kodheli publikoi edhe letrën që PS dërgoi në KiE. “Opozita e drejtuar nga socialistët ka pasur dy anëtarë në delegacionet e mëparshme, megjithëse ka pasur më pak vende në krahasim me vendet që ka sot. E njëjta gjë ka ndodhur me anëtarët zëvendësues, të cilët janë emëruar pa u konsultuar me autoritetet e grupit parlamentar socialist. Ky akt dhunon gjithashtu nenin 6 – Kredencialet – të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, - thuhej në këtë letër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›