Porti i Durrësit, 15,2 milionë euro për terminalin e ri të trageteve
Ervin Koçi
Porti Detar i Durrësit, më i madhi në vendin tonë, do të ketë shumë shpejt një ambient të ri për përpunimin dhe pritjen e trageteve, pasagjerëve dhe mjeteve. Punimet për terminalin më të ri të pasagjerëve dhe shesheve në Portin e Durrësit do t’i japin një pamje krejt tjetër portit më të madh tregtar në Shqipëri. Terminali do të ketë një kapacitet për rreth 2 mijë pasagjerë, ndërsa sheshet e parkimit rrotull godinës do të kenë një kapacitet për rreth 2 mijë automjete, si vetura apo mjete transporti mallrash. Ndërtimi i këtij terminali do të mundësojë lëvizjen sa më komode dhe të shpejtë të pasagjerëve që vijnë nëpërmjet trageteve dhe kroçerave, sidomos në periudhën e verës apo gjatë festave. Projekti që do të kapë një vlerë të përgjithshme prej rreth 15,2 milionë eurosh, do të financohet nga Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Komisioni Europian.
Marrëveshja
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, nënshkroi dje marrëveshjen me përfaqësuesit e kompanisë sllovene “SCT” që do të ndërtojnë terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit. Sipas ministrit Olldashi, ndërtimi i terminalit të ri do të përmirësojë infrastrukturën në Portin e Durrësit si dhe do të rrisë ndjeshëm kapacitetin e tij. “Ky është investimi më i madh në infrastrukturën portuale”, - tha ministri i Transportit, Sokol Olldashi, në ceremoninë e firmosjes së kontratës me drejtorin Ekzekutiv të firmës sllovene “SCT”, Bojan Kenda. Sipas ministrit Olldashi, me përfundimin e këtij projekti, i cili do të zgjasë rreth 22 muaj, kapaciteti i terminalit arrin në 2 mijë pasagjerë në ditë. Firma e kontraktuar për realizimin e këtij projekti do të nisë punimet më 6 qershor 2008 dhe do të zgjasin 22 muaj. Supervizioni do të kryhet nga kompania “DIWI Consult International GmbH” nga Essen-i i Gjermanisë.
Projekti
Terminali i ri i pasagjerëve do të jetë një konstruksion metalik njëkatësh, me sipërfaqe rreth 5 mijë metra katrorë, në të cilin do të përfshihen të gjitha ambientet e nevojshme për shërbimin dhe kontrollin e pasagjerëve, si: sallat e pritjes në hyrje dhe dalje të godinës, pikat e shitjes së biletave dhe agjencitë e udhëtimit, pikat e kontrollit doganor dhe të dokumenteve personale, ambiente shërbimi për personelin. Projekti parashikon edhe ndërtimin e mbikalimit për lëvizjen e pasagjerëve që vijnë nga stacioni ekzistues hekurudhor i Durrësit, godinën e inspektimit doganor, godinën për shërbimin e shoferëve të mjeteve të transportit të mallrave që do të udhëtojnë me tragete, si dhe strukturat dhe ambientet në hyrje dhe dalje të zonës së terminalit nga ku do të kryhet dhe kontrolli i dokumenteve për pasagjerët dhe mjetet. Në projekt është parashikuar edhe ndërtimi i shesheve dhe rrugëve lidhëse në zonën e operimit të trageteve, ndërtimi i rreth 65 mijë metër katror sheshe të betonuar, rruga e re hyrëse në zonën e trageteve, portat hyrëse dhe dalëse, sistemi i drenazhimit të ujërave sipërfaqësor, i ujit të pijshëm dhe të impiantit të pastrimit të ujërave në zonën e trageteve, ndërtimi i sistemit elektrik së bashku me nënstacionin dhe gjeneratorët, i sistemit të ndriçimit të shesheve dhe rrugëve lidhëse. E gjithë zona e re e trageteve, e cila do të kufizohet me rrethim metalik dhe xham plastik për të lejuar pamjen nëpërmjet tij, do të ketë parametra të lartë sigurie në kuadrin e rritjes së nivelit të sigurisë që po aplikohet sot në port, duke krijuar kështu kushtet për modernizimin e mëtejshëm të tij.
Durrës, kroçera “Dalmacia” sjell 106 turistët e parë ditorë
Dje, në Portin Detar të Durrësit kanë mbërritur 106 turistë ditorë, të cilët kanë zbritur nga anija “Dalmacia”. Burime zyrtare nga Autoriteti Portual, bënë të ditur se anija turistike mbërriti në Durrës për të katërtën herë brenda dy muajsh. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në bordin e anijes ndodheshin 106 turistë gjithsej, shumica e të cilëve me kombësi gjermane, ndërsa nuk mungonin dhe turistë nga Kroacia, Italia, Austria dhe SHBA-të. Në grupin e turistëve që mbërritën dje në Durrës, ishin edhe 19 vizitorë nga principata e Monte Karlos. Turistët të ndarë u janë drejtuar qyteteve të Krujës dhe Tiranës, ku do të vizitojnë disa nga muzetë dhe qendrat kryesore historike, ndërsa një pjesë e tyre kanë qëndruar për vizita në qytetin antik të Durrësit. Anija me gjatësi 117 metra është ankoruar në kalatën 4 të Portit të Durrësit dhe do të largohet sot në mbrëmje.
Brenda vitit 2010 ndërtohet porti i ri i peshkimit në Durrës
Porti i ri i peshkimit në Durrës do të realizohet brenda vitit 2010, me një investim prej 10 milionë USD-sh. Tashmë ka nisur puna për hartimin e projektit të këtij porti të veçantë për motopeshkatoret në afërsi të portit detar të këtij qyteti. Punimet për realizimin e tij do të nisin brenda vitit 2008. Qeveria shqiptare do të financojë 3.3 milionë USD, ndërsa pjesa tjetër prej 6.7 milionë USD do të jetë një kredi nga organizmat ndërkombëtare. Porti i Durrësit është më i madhi në vend dhe ka një rëndësi strategjike kombëtare. Ky port në jugperëndim të qytetit të Durrësit, 36 km në lindje të Tiranës, ka të gjithë lehtësitë e duhura për përpunimin e të gjitha llojeve të ngarkesave.
7 Maj 2008