E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përparim Osmani, në Dritë

Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 12:21

Drita po tregohet mjaft aktive në afatin kalimtar të verës. Klubi gjilanas ia doli të përforcohet me futbollistin e Hysit, Përparim Osmani, të cilit i skadoi kontrata me klubin llapjan.

“Kemi arritur marrëveshje me Përparim Osmanin e Hysit. Sezonin e ardhshëm, ai do t’i mbrojë ngjyrat e Dritës”, deklaroi për Express kryetari i klubit gjilanas, Sedat Pajaziti.

Mesfushori Osmani pati një sezon pozitiv me Hysin, me të cilin u shpall kampion i Kosovës. Një ditë më parë, e rikthyera në Superligë, Drita, e transferoi një tjetër futbollist të Hysit, Labinot Jetullahu. Ndërsa, para një jave, klubi gjilanas e angazhoi mbrojtësin e Flamurtarit, Bashkim Ahmeti.

Pajaziti njoftoi se në orët e ardhshme pritet të merret vesh edhe me një sulmues kosovar, emrin e së cilit nuk deshi ta bëjë publik. Më parë, bardhekaltrit e patën huazuar nga klubi turk, Kasimpasa, mbrojtësin Anit Senguler, i cili në vitin 2005 ishte pjesë e Galatasarayt.

Skuadra gjilanase kishte nënshkruar kontratë edhe me futbollistin e deritanishëm të Drenicës, Samir Ramizi dhe atë të Rahovecit, Bashmir Gashi, ndërsa ka angazhuar edhe dy lojtarë të rinj nga Tërnoci i Bujanovcit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›