‘Trulloset’ Wengeri
Arsene Wenger mund të mbetet i “trullosur” nga çmimet aktuale të futbollistëve në afatin kalimtar. Mirëpo, ai mund të mos ketë opsion tjetër, përveç shitjes së kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas, e më pas shpenzimit të parave në objektivat e tij.
Topçinjtë vazhduan përgatitjet e tyre për sezonin e ri me fitore 2-1 ndaj Kolnit në Gjermani, ku përforcimi i ri, sulmuesi Gervinho shënoi dy gola në paraqitjen e tij të parë pas transferimit nga kampioni i Francës, Lille.
Ndërsa, Fabregas mungoi sërish. Zyrtarisht i lënë prapa për të punuar rreth formës fizike, pas problemeve në gju, një delegacion nga Barcelona kishte ardhur në Londër për të punuar rreth arritjes së një marrëveshjeje për rikthimin e tij në Nou Camp.
Mirëpo, Arsenali insiston se kapiteni i tij nuk do të largohet me të lirë dhe kërkon 40 milionë funte për mesfushorin spanjoll, që mund të përfshijë edhe kalimin e mesfushorit Thiago në Emirates Stadium.
Wenger, po ashtu, pritet të përforcojë mbrojtjen para përmbylljes së afatit kalimtar të verës, por Arsenali duhet të përmirësojë ofertën e tyre prej 10 milionë funtesh për qendërmbrojtësin e Evertonit dhe Anglisë, Phil Jagielka.
“Kur i shikoni të gjitha çmimet, trulloseni. Ne e bëjmë atë që duam dhe shikojmë së pari kualitetin e futbollistit, e më pas nëse kemi para për të shpenzuar në të”, tha Wenger për www.arsenal.com.
“Në rastin e Gervinhos, ai deshi të vijë te ne. Ai kishte vetëm edhe një vit të kontratës së tij, andaj ishte mundësi e mirë për ne”, shtoi francezi. Gervinho pritet të paraqitet sërish në Emirates Cup, këtë fundjavë. Arsenali e fillon sezonin e ri në Premierligë në Newcastle, ku në vizitën e tyre të fundit barazuan 4-4, edhe pse ishin në epërsi 4-0.
Duke komentuar një çështje tjetër, Wenger mirëpriti lajmin për përdorimin e teknologjisë në vijën e portës që mund të përcjellë fillimin e sezonit të ri në Premierligë.
Drejtori ekzekutiv i Ligës, Richard Scudamore tha javën e kaluar se edicioni 2012/13 ishte “synim real” për përdorimin e teknologjisë. Wenger beson se një vendim i tillë do të ishte për të mirën e lojës.
“Ju dëshironi të keni raste më të mira për të marrë vendimet e drejta. Për të zvogëluar numrin e gabimeve sa më tepër që është e mundshme, do të jem i lumtur nëse e përdorim”, përfundoi Wenger.