Përpëlitje përçartëse
është mbase e tepërt t’i nisim këto radhë me përshkrimin e situatës kritike që po kalon vendi ynë. Prandaj, mund të ishte më mirë që t’i drejtoheshim lexuesit, duke i kujtuar pjesë apo nënkuptime nga fjalimet e deklaratat e javëve dhe ditëve të fundit të disa liderëve të maxhorancës qeverisëse, të cilat në kushtet e sotme të shtyjnë t’i krahasosh me përpëlitjet e njeriut në gradët e etheve konvultive, me ato përpëlitje që i shoqëron përçartja, fjalë pa kuptim, që të shqetësojnë për shërimin e tij, ashtu sikurse për normalitetin e jetës së të gjithë të afërmve. Dihet se, oratori duhet të ketë kujdes për ato që nxjerr nga goja publikisht. Sepse, një gjë e tillë në masë të madhe lidhet me besimin që ai shkakton te dëgjuesit, falë cilësive të tilla, siç janë kompetenca dhe angazhimi, sinqeriteti dhe çiltërsia, ndjenja për energji pozitive, për rrezatim dhe emocione. Kjo kërkesë ka diktuar, ndoshta, që në pothuajse të gjitha manualet ndërkombëtare të kësaj fushe të gjendet pak a shumë, ashtu – kështu, sugjerimi që u jepet politikanëve: “Mos u shqetësoni për atë se si ju kumbon zëri dhe se si dukeni në mjedis, por përqendrohuni në të vetmin qëllim – mendimet Tuaja të arrijnë me efekt te dëgjuesit”. Në këtë kuptim, fshehtësia esenciale e një fjalimi të mirë apo edhe e një deklarate që komunikohet lirisht, bazohet te diçka që quhet zakonisht ‘shprehje – mendim’. Sipas personaliteteve mjaft të njohur për popullaritetin e fituar gjerësisht, kjo mund të ndodhë kur një drejtues të jetë në gjendje të kumtojë një ide, por njëkohësisht të formulojë mendimin që vjen, pra të flasë dhe të mendojë, çka mund të bëhet vetëm atëherë tek e ka paramenduar dhe përgatitur mirë atë me të cilën i drejtohet auditorit. Prandaj, në të gjithë botën demokratike nënvizohet dhe mbahet mend jo më kot ajo që shkruante aty nga fillimi i shekullit të shkuar, një nga ish-presidentët më në zë të Shteteve të Bashkuara, Teodor Rusvelt: “Asgjë nuk e kam arritur pa u përgatitur mirë, pa punë të vështirë, pa ushtrime të pandërprera të vlerësimeve të mija dhe pa planifikim serioz”. Mirëpo, në vendin tonë edhe tashmë, në këtë vit që kalendari po e shfleton pa e kursyer, shumë prej oratorëve politikë, veçanërisht të krahut të djathtë, madje midis tyre edhe ndonjë tek – tuk që ka aftësi për t’i tërhequr dëgjuesit qysh në fillim, tashmë sillen e sillen rreth temës së një krize komplekse për sot e për mot dhe nuk gjejnë as kohë e as vend që t’i ngulin këmbët në tokë. Kjo po ndodh sidomos të frymëzuar nga fjalimi skandaloz i Berishës, plot sharje dhe shpifje, përpara një muaji, më 26 nëntor, në foltoren parlamentare, pas të cilit u bë e qartë që dialogu midis pozitës e opozitës, aq i përmendur nga brenda dhe nga jashtë vendit, si edhe i pritur për një masë të madhe të publikut, vështirë të realizohet së shpejti. Sepse, veç të tjerash, nga liderë të maxhorancës, që me sa merret vesh deri tani janë të paaftë dhe jo të prirur t’u japin zgjidhje problemeve që i ka krijuar keqadministrimi i tyre, herë injorohet e vërteta, herë pëshpëritet ajo. Pikërisht ajo, që shumica e popullit po e vuan. *** Kështu, kur prej Presidentit të Republikës u prit lideri i opozitës, i cili mbante në dorë një dosje të mbushur ding me dokumente që, siç thuhet, në një farë mase përbëjnë indicie për zbardhjen e krimit elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, deputetë dhe deputete të shumicës vazhdojnë të konkurrojnë, por me tone edhe më të larta, që të fyejnë kundërshtarin politik kryesor pa argumente, për jetën e tij ngushtësisht private. E vështruar në një plan të përgjithshëm, kjo konkurrencë shamataxhesë duket që zhvillohet nën efektin e frikës së presionit të një krize politike dhe ekonomike, çka mund t’ua kufizojë ndjeshëm në kohë mandatin parlamentar dhe beneficiet e rrjedhura prej tij. Megjithatë, pikërisht në këtë situatë të tensionuar gjendet një gazetë e përditshme, në faqet e së cilës Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, njëherazi Nënkryetare e Partisë më të madhe të pozitës politike aktuale, shprehet që takimi në Presidencë nuk kishte vlerë. Nuk kishte efekt, ngaqë – sipas saj - Kryetari i Shtetit nuk ka çfarë të zgjidhë, përderisa nuk gjendemi përpara një krize politike (!). Dhe kur pa? Në një kohë që lideri i maxhorancës pothuajse çdo ditë gjen rastin t’i kërkojë opozitës ta kapërcejë pragun e Kuvendit. Një kërkesë kjo tipikisht përpëlitëse, herë me të lutura dhe herë me kërcënime, herë me gjoja sinqeritet dhe herë me insinuata cinike, herë me tone të zbutura dhe herë me arrogancë kërcënuese, herë me ndonjë bisedë në grupin e vet parlamentar dhe herë me miratimin prej tij të ndonjë projektligji antikushtetues. *** Në të njëjtën linjë, formalisht aspak uniforme, brenda një harku kohor të shkurtër pozicionohet edhe Zëvendëskryeministri, i cili në takime me pak mbështetës që i kanë mbetur lëshon fjalë që s’i zënë besë as ata që ende rrinë rreth tij, sigurisht për të gjetur ndonjë punë, qoftë edhe provizore: “Lëvizja Socialiste për Integrim është garante e qeverisjes dhe e kërkesave të qytetarëve”, – thotë në Elbasan ai. Pikërisht ai, që për hir të interesave të ngushta vetjake kontribuoi për të arritur shumë shpejt mbarë vendi deri në këtë gjendjen aktuale mjaft të trishtueshme. Në të njëjtën kohë, pikërisht ky personazh prej plasteline deklaron se, deri tani s’ka krizë, por thjesht qejfmbetje të socialistëve, deformim të politikës së tyre(!). Dhe, kur pa? Tani, po, po, tani, që u bën thirrje atyre të futen në Kuvend, për të dialoguar me maxhorancën dhe për të ndihmuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Megjithëse, sipas tij, pavarësisht kësaj ndihme, brenda vitit 2010 shqiptarët do të lëvizin lirisht në zonën ‘Shengen’, pa qenë nevoja që të pajisen me viza. Ndonëse kjo siguri e shprehur prej atij vet nuk i referohet ndonjë prononcimi pozitiv ‘të freskët’ nga kancelaritë e Komunitetit Europian, përshtypje bën fakti se, së fundi, Ministri ynë i Jashtëm e shtyn disi afatin e arritjes së kësaj ngjarjeje, që mund të shërbejë për ata, të cilët gjithnjë e më shumë thirren ndryshe “uzurpatorët e pushtetit të sotëm”, si një valvul shkarkimi të tensioneve dhe acarimeve të brendshme, me prirje përherë e më të theksuara. Të jetë kjo një shenjë reflektimi në shtratin e përpëlitjeve ndaj premtimeve ritmike të mëparshme, sipas të cilave vizat për në Europë do të hiqen më 1 korrik të vitit të ardhshëm? Mos ndoshta tani u kujtuan pushtetarët tanë, se edhe nëse Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian mblidhet nga fundi i gjashtëmujorit të pritshëm për të vendosur, nëse Shqipëria duhet ta përfitojë ‘privilegjin’ dhënë së fundmi tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, përsëri vazhdojnë për ca muaj rresht disa procedura të tjera? Vallë këto ditë, kur iu hapën rrugët nënshtetasve serbë, malazezë dhe maqedonas drejt Perëndimit i thirrën mendjes qeveritarët shqiptarë për premtime më të arsyeshme, realizimi i të cilave në situata normale do të mund të përkonte ndoshta me fundin e vitit 2010? Sidoqoftë, ka edhe shqiptarë që përpiqen ta mbajnë veten me gajret, derisa në të njëjtën linjë zëdhënësja çupërlinkë e Partisë Demokratike, duke replikuar me selinë rozë në mënyrën më amatoreske përçart se, kushti i vetëm për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave nuk është hapja e kutive të votimit, por pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike. Sigurisht, kjo e fundit është një kriter ‘sine quan non’ i karakterit teknik. Megjithatë, momenti është për t’i kujtuar zëdhënëses me perifrazimin e mësipërm se, edhe fantazia më e madhe kufizohet nga disa kufij arsyetimi. Prej disa javësh nga Brukseli është përsëritur mesazhi që edhe për liberalizimin e vizave mbetet primar kriteri politik. Dhe, ndërsa pak më parë këto mesazhe bënin gjithashtu thirrje për nevojën në Shqipëri të një dialogu midis pozitës dhe opozitës, që të zgjidhej e kapërcehej ajo që e cilësonin thjesht si një ‘ngërç politik’, tani me sa kuptohet edhe ndërkombëtarët nisën të reflektojnë, duke e cilësuar gjendjen e tashme si ‘krizë politike’. Madje, jo më larg se 5 – 6 ditë përpara, Zëvendësambasadorja britanike në Tiranë, Elisabet Evans shprehu shqetësimin që kjo situatë mund ta nxjerrë nga binarët demokracinë. Sikurse shefi i sektorit të politikave dhe ekonomisë në Komunitetin Europian, Tomas Von Handel tërhoqi vëmendjen se, gota vazhdon të jetë gjysmë e mbushur dhe pritshmëritë do të shtohen. Por, në ekzekutimin e kësaj partiture u dëgjua edhe zëri i Kryeministrit suedez në përfundim të presidencës së tij të radhës të Bashkimit Europian, i cili tek uronte tri shtetet ballkanike për liberalizimin e vizave që iu akordua atyre së fundmi nga Brukseli, nuk ndenji pa anonçuar emrin e Bosnjës, që e pret së shpejti i njëjti fat. Mirëpo, Shqipëria nuk u zu në gojë. A nuk janë këto ‘telegrame’ që i drejtohen vendit tonë dhe, në radhë të parë jo opozitës, por Qeverisë, që të mendojë mirë dhe të gjejë rrugët e komunikimit me kundërshtarët e saj politikë dhe me të gjitha shtresat e popullit, për bashkëveprimet që priten si të domosdoshme vitin e ardhshëm?!