E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama te Pediatria shpërndan dhurata për fëmijët e sëmurë

TIRANE- Në ditën e Krishtlindjeve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, vizitoi fëmijët e sëmurë në Spitalin Pediatrik në kryeqytet. “është një privilegj i madh që së bashku me vajza dhe djem të Rrjetit Rinor të Bashkisë, kemi mundësinë që të vijmë çdo Krishtlindje këtu, në spitalin e fëmijëve, për t’u dhënë edhe atyre që janë sot më në nevojë se të gjithë të tjerët, mundësinë që të kenë gëzimin e një feste dhe ndërkohë për të rritur ndjeshmërinë që e gjithë shoqëria të gjendet pranë këtyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë jo vetëm për dhuratë feste, por për gjak në mënyrë të vazhdueshme, çdo ditë", u shpreh Rama. Të rinjtë e Rrjetit Rinor, përmes animacioneve, dhuratave të ndryshme, u gjendën pranë vogëlushëve, duke u sjellë atyre atmosferën e festave të fundvitit. Po me rastin e Krishtlindjeve, Kryebashkiaku Edi Rama ka ofruar një drekë për rreth 250 vetë, në lulishten tek “Partizani i Panjohur”. Sipas tij, “janë të panumërt njerëzit në nevojë, të cilët do të donin të festonin dhe nuk mund të festojnë për shkak të një pamundësie të jashtëzakonshme ekonomike, por megjithatë, sot më shumë se çdo ditë tjetër të vitit, është e domosdoshme që këtyre njerëzve t’u jepet mundësia të shohin një dritë shprese dhe në këtë drekë të shtruar nga Bashkia për një numër shumë të vogël ndër ata që në fakt do të donin ta kishin sot një drekë".(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›