E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, nis shpërndarja e ndihmave për familjet e dëmtuara nga Vjosa

VLORE- Mbrëmjen e të enjtes nisi shpërndarja e ndihmave që qeveria ka akorduar për familjet e komunës Novoselë, 20 km në veri të qytetit të Vlorës, të dëmtuara ditët e fundit nga vërshimi i ujërave të lumit Vjosë për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme. Sipas Kryetarit te kësaj komune, Rait Llana shpërndarja e ndihmave vijon dhe gjatë mëngjesit të sotëm dhe konsiston në batanije, çarçafë, si dhe ushqime të ndryshme mes të cilave vaj, makarona, konserva peshku e mishi, si dhe detergjentë, në sasi të konsiderueshme për 100 familje. Mësohet se një komision i posaçëm po punon për shpërndarjen e ndihmave në fshatrat Bishan dhe Fitore, ku rreth 100 banesa u dëmtuan në fillim të kësaj jave, nga vërshimi i ujërave të lumit Vjosë. Paralelisht me këtë, komisioni i ngritur pranë komunës me specialistë është duke punuar për vlerësimin e saktë të dëmeve të shkaktuara dhe pritet që brenda dy ditësh të përcjellë relacionin pranë Ministrisë së Brendshme. Gjendja e krijuar në fshatrat Bishan dhe Fitore, në komunën e Novoselës si pasojë e daljes nga shtrati të ujrave të lumit Vjosë, u rëndua mëngjesin dhe paraditen e të martës kur niveli i ujrave u rrit dukshëm. Për pasojë u përmbytën rreth 100 banesa, ku u shkaktuan dëme të ndryshme në rezervat ushqimore familjare, bazën ushqimore të blegtorisë, mobilje etj. Krahas kësaj, në të dy krahët e lumit Vjosë u përmbytën rreth 1500 hektarë tokë, prej të cilave 30-40 për qind, tokë bujqësore e mbjellë me kultura të ndryshme. Sipas specialistëve, llogaritet që prurjet e lumit Vjosë ishin më të mëdha se ato të 5 dhjetorit të vitit 2005, kur u rregjistrua ngjarja më e rëndë e krijuar nga përmbytjet e lumit Vjosë, në këto zona, në të paktën 30 vitet e fundit. (s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›