Berisha, Manganeli: Bashkëpunim efikas mes policive te dy vendeve
Pala italiane vendos transferimin e zyrës ndërlidhëse të policisë italiane në Tiranë, në zyrën kryesore të të gjitha zyrave të rajonit të Ballkanit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë Italiane, Antonio Manganeli, njoftoi dje Kryeministrin Sali Berisha në prani të ambasadorit italian në Tiranë, z. Saba D’Elia dhe stafit të tij. Të dy palët ndanë të njëjtin vlerësim se bashkëpunimi mes dy vendeve është absolutisht i shkëlqyer. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Italisë, z. Manganeli tha se vlerësonte në maksimum ndihmën që policia shqiptare i jep asaj italiane në lidhje me goditjen e kriminalitetit dhe krimit të organizuar. Drejtori i përgjithshëm i Policisë Italiane tha se Tirana dhe Bukureshti do të jenë në të ardhmen pikat e referencës për Policinë Italiane në rajonin e Evropës Juglindore. Po ashtu, drejtori Manganeli njoftoi Kryeministrin Berisha se Italia po punonte me partnerët e tjerë evropianë për ngritjen e një grupi pune me oficerët e kontaktit të këtyre vendeve në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunimi midis dy policive tona duhet të kthehet në model referimi për vendet e tjera. Nga ana e tij, Kryeministri shprehu kënaqësinë dhe falënderoi mikun italian që vendi i tij kishte zgjedhur Shqipërinë si pikën kryesore nga ku do të drejtonte aktivitetin e saj, në bashkëpunim me policinë shqiptare, në luftën kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se ky vendim është i një rëndësie të jashtëzakonshme për luftën ndaj krimit përtej kufijve. Kryeministri Berisha i kërkoi bashkëbiseduesit mbështetje për sa i përket programit të mbrojtjes së dëshmitarëve, kërkesë e cila u mirëprit. Ata ranë gjithashtu dakord që të krijohen ekipe të përbashkëta hetuese për të përballuar fenomenet kriminale.
V. M.