Korçë, 45 vogëlushë rrezikojnë jetën
Vogëlushët e fshatit Vloçisht rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre për shkak të problemeve me godinën e kopshtit
Drejtues të komunës Libonik kanë premtuar një investim, por asnjë përmirësim nuk ka në kopsht
KORÇË - 45 vogëlushët e një kopshti në fshatin Vloçisht të Korçës rrezikohen për shkak të godinës ku kalojnë ditët e tyre. Ndërtesa që ka kaluar më shumë se 3 dekada jetë, është në gjendje të rëndë, ndërsa kati i sipërm i saj është thuajse i rrëzuar.
Banorët e fshatit ankohen për kushtet e vështira ku shkojnë çdo ditë të vegjëlit e tyre, ndërsa nga ana tjetër shembja e ndërtesës mund të rrezikojë jetën e fëmijëve. Ndonëse nga ana e drejtuesve të komunës Libonik ku bën pjesë fshati në fjalë është premtuar një investim, kjo nuk ka ndodhur deri në këto momente.
Fëmijët e Vloçishtit kërcënohen çdo ditë nga vdekja, ndërsa shembja e befasishme e ndërtesës së vjetër dhe të amortizuar mund të shkaktojë ndonjë tragjedi të tmerrshme. Dy edukatore kujdesen për fëmijët, ndërsa thonë vetëm se premtimet për të ndërtuar kopshtin e ri janë të shumta.
Ato nuk dinë të thonë më tepër se kaq, ndërsa do të jetë komuna e Libonikut ajo që duhet të përshpejtojë kërkesat për sigurimin e fondeve nga buxheti i shtetit. Vetëm pak kohë më pare, është investuar për një shkollë të re, porse nuk ka ndodhur e njëjta gjë me kopshtin e fëmijëve.
Fshati Vloçisht me rreth 2 mijë banorë gjendet vetëm 10 kilometra larg qytetit të Korçës, teksa realiteti i këtij institucioni arsimor parashkollor është gati i pabesueshëm.
Fëmijët të mbledhur në dy dhoma të vogla ku kalojnë ditët e tyre, ndërsa dimri bëhet edhe më i vështirë po t'i shtosh lagështinë dhe të ftohtin që nuk mund ta përballojë një stufë e vogël druri, e vendosur në çdo cep të dhomave të ftohta.
Kështu, në katin e parë të ndërtesës të amortizuar, jashtë të gjitha parametrave teknike dhe higjieno-sanitare, në dy dhoma janë improvizuar dy klasa për 45 fëmijët e këtij fshati. Vetë vogëlushët duken të kënaqur që shkojnë në kopsht, teksa nuk e dinë për rrezikun që u kanoset.
Banorët e Vloçishtit tregojnë për gazetën "Shekulli" shqetësimin për fëmijët e tyre, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e strukturave shtetërore për të evituar një tragjedi të mundshme.
Bujar Bregu, një baba 49-vjeçar, thotë se nuk ka zgjidhje tjetër teksa është duke çuar në kopsht vajzën e tij tre vjeçe. Madje, ai rrëfen se ankthi pushton atë dhe bashkëshorten deri në momentin që iu duhet të marrin fëmijën në shtëpi.
Por duket se Bregu nuk ka zgjidhje tjetër dhe është duke sakrifikuar shumë, pasi nuk ka ndonjë mundësi tjetër. Kopshti i fëmijëve në Vloçisht ndodhet në qendër të fshatit, në një godinë që deri para viteve '90 ka shërbyer si shkollë.
Pjesa e katit të dytë të saj është e dëmtuar, dhe një pjesë e mureve janë të rrëzuar dhe me lagështirë. Ndërkaq, kati i parë pjesërisht funksionon si kopsht për fëmijët e fshatit të lartpërmendur.