Flutura Kola: ”Fazlliç? Unë jam juriste, punën time e kam bërë konformë ligjit”
Mbrëmjen e së enjtes, Flutura Kola është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegimet e saj lidhur me marrëdhëniet që ka patur me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Kola ka qëndruar rreth dy orë e gjysmë para prokurorit të çështjes Besnik Cani dhe është përgjigjur në mënyrë të prerë dhe me qetësi ndaj të gjitha pyetjeve të bëra nga prokurorët. Dje “Albania” u informua se Kola ka mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë plani bashkëpunimi për pastrim parash, shkelje të ligjit, apo trafik influence. “Unë jam juriste dhe kam në pronësi studio ligjore. Punoj me shumë biznesmenë sepse kjo është natyra e punës sime. Mund të them se një ndër klientët është dhe zoti Fazlliç dhe bashkëpunimi me të ka qenë njësoj si me të gjithë të tjerët. Unë në çdo rast kam zbatuar ligjin dhe i jam përgjigjur në mënyrë ligjore interesave të klientëve të mi”, - mësohet të jetë shprehur Kola para prokurorit Cani. Seanca e pyetje-përgjigjeve mësohet se ka zgjatur realisht vetëm 40 minuta dhe e gjithë pjesa tjetër e kohës ka qenë regjistrimi i dëshmisë dhe rishikimi e më pas firmosja e saj prej Flutura Kolës.
Klienti
“Në Shqipëri janë me mijëra firma dhe kompani që operojnë. Unë ushtroj aktivitetin konformë ligjeve shqiptare dhe përfaqësoj ata klientë që më kërkojnë shërbime. Përsa u takon procedurave të mia në Shqipëri, ato janë të gjitha konformë ligjeve, ndërsa kaq më takon mua si juriste dhe nuk mbaj përgjegjësi për çfarëdolloj aktiviteti tjetër që mund të kenë klientët e mi jashtë Shqipërisë”, - mësohet të jetë shprehur Kola. Prokuroria Shqiptare i nisi një javë më parë juristes Flutura Kola fletëthirrjen për t’u paraqitur në Prokurorinë e Tiranës. Porsa u njoh me këtë fletëthirrje, Kola kërkoi që ky veprim të mos ekspozohej mediatikisht sikurse në rastin e një tjetër dëshmitari, i cili ishte Erion Isufi. Avokatja Flutura Kola drejton studion ligjore “Kola&Associates”, ndërsa këtë aktivitet e ka zhvilluar për dy muaj në ortakëri me vajzën e kryeministrit. Më vonë krijuan dy firma të ndryshme që operonin në të njëjtën godinë. Flutura Kola ka patur një rol kyç në shitjen fiktive që Damir Fazlliç i bëri firmës së tij “Croun Acquisitions” te firma qipriote “Altaria Research Limited”. Kola ishte përfaqësuesja me prokurë e firmës qipriote dhe do të bënte të gjithë procedurën e blerjes së firmës “Altaria” në Tiranë.
Prokura
Në prokurën e dërguar nga Qipro, Kola detyrohej të nënshkruante kontratën e blerjes dhe të regjistronte firmën në gjykatë, në regjistrin tregtar dhe në tatime, në emër të firmës qipriote. Por sikurse provuan dokumentet e publikuara në media, rezultoi se Kola nuk kishte regjistruar pronarët e rinj në regjistrin tregtar dhe në tatime. Rreth 1.7 milionë euro të deklaruara si shitje nuk u regjistruan në organet kompetente duke shmangur taksat, por ndërkohë duke kryer paralelisht një transaksion që ishte i pakontrolluar për nga pikëpamja e garancisë, pastërtisë së këtyre parave. Dy ditë pas nisjes së hetimeve ndaj serbo-boshnjakut Fazlliç, prokuroria vendosi sekuestrimin e të gjitha pasurive në emër të tij. Hetuesit kërkuan informacion nga bankat për gjendjen e llogarive bankare dhe transaksionet e kryera nga biznesmeni dhe nga hipotekat për të mësuar të gjitha pronat e regjistruara në emër të serbo-boshnjakut. Njësia e specializuar e Task-Forcës kërkoi informacion nga doganat për të verifikuar nëse shoqëritë e Fazlliçit kanë kryer ndonjë import-eksport malli. Por doganat ende nuk i janë përgjigjur interesit të prokurorisë për tri javë me radhë, derisa erdhi përgjigjja se Fazlliç nuk kishte paguar as një qindarkë në dogana. Deri tani, në duart e hetuesve gjenden vetëm përgjigjet e bankave, ku rezulton se biznesmeni nuk ka vetëm disa “kacidhe” në llogaritë bankare, por janë zbuluar disa transaksione, të cilat mund të jenë një provë e fortë për të vërtetuar dyshimet për pastrim parash.
Kola tërhoqi çekun në bankë pas shitjes së firmës
Shitja e kompanisë “Croun Acquisitions sh.p.k”, me një vlerë prej 1.7 milionë eurosh, kompanisë “Altaria Research Limited” po në emër të Fazlliçit, përbën, sipas prokurorisë, provën më të fortë që serbo-boshnjaku ka bërë pastrim parash në Shqipëri. Por, për të vërtetuar dyshimet, prokuroria po heton dhe kryen verifikime të shumta. Deri tani, prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh, të cilat po i shqyrton me qëllim që të nisë nga marrja në pyetje e personave që kanë bashkëpunuar me Fazlliçin: Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që ka qenë administrator i të paktën tri shoqërive të Fazlliçit, si dhe avokatja Flutura Kola, e cila kreu të gjithë procedurën. Kola nga ana e saj ka reaguar vetëm një herë publikisht pas publikimit të dokumenteve në media. Edhe kur reagoi, ajo e bëri këtë veprim nëpërmjet një deklarate të Dhomës së Avokatisë. “Dhoma Kombëtare e Avokatëve deklaron se avokatja Flutura Kola, gjatë shitjes së njërës prej shoqërive të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, ka ndjekur një praktikë ligjore. Vetë avokatja Kola ka paraqitur pranë kësaj Dhome një kopje të praktikës së shitjes së kuotave të kompanisë shqiptare “Croun Acquisitions” një kompanie qipriote me vlerë 1 milion e 700 mijë euro. Sipas deklaratës së avokatëve një muaj më parë, gjatë shitjes avokatja nuk ka bërë asnjë shkelje të rregullave të kodit të etikës së avokatit, ndërkohë që ajo ka qenë e pajisur me një prokurë të lëshuar nga klienti i saj gjatë kësaj shitjeje. Gjatë ushtrimit të profesionit, avokati vepron në emër dhe llogari të klientit dhe jo në emrin personal, ndaj sulmet ndaj tyre janë të pajustifikuara”, - shkruhej në deklaratë.
20 Dhjetor 2008