E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat përmbysin qindra hektarë tokë, mbeten pa ujë 8000 banorë



Rriten dëmet nga përmbytjet e dy ditëve të fundit, të shkaktuara si pasojë e rënies së reshjeve të shiut. Me dhjetëra hektarë tokë janë fundosur nga uji në qarqet e Fierit, Vlorës dhe Beratit, ndërsa qyteti i Çorovodës ka mbetur pa ujë të pijshëm si pasojë e dëmtimeve në basenin e ujësjellësit. Burimet zyrtare raportojnë se 50 shtëpi janë të rrezikuara në komunën Novoselë të rrethit të Vlorës, pasi ujërat e lumit Vjosë kanë dalë jashtë shtratit. Sipas të dhënave, gjendja mbetet problematike në qarkun e Beratit.
Përmbytjet
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar edhe dy ditë më parë nga autoritetet lokale, vërshimi i ujërave të Vjosës në qarkun e Fierit ka rrezikuar dje përmbytjen e tokave dhe shtëpive. Në komunën e Novoselës lumi ka dalë nga shtrati dhe shumë shtëpi rrezikohen të përmbyten. Numërohen rreth 50 shtëpi në rrezik, pasi këto ndodhen anës lumit. Banorët janë shprehur se niveli i ujërave përgjatë gjithë natës dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka qenë në rritje. Banorët e zonës kanë përjetuar çdo çast në ankth, pasi u rrezikohej jeta dhe prona e tyre. Në sipërfaqen e tokës së përmbytur ndodhen edhe disa puse që shpërbejnë për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Fierit. Sipas drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve, situata është kritike, por nuk është raportuar për përmbytje të këtyre puseve. Prefektura ndërkohë ka marrë masat për të përballuar pasojat. Për rreth 60 familje janë dërguar çadra, kurse banorëve të tjerë u është bërë thirrje të evakuohen.
Niveli i ujërave të Vjosës, afër komunës Novoselë, 20 kilometra në veri të Vlorës, ka nisur të bjerë mesditën e djeshme me rreth 30 centimetra. Kryetari i komunës së Novoselës, Rait Llanaj, tha se banorët e fshatrave gjatë shtratit të lumit Vjosë janë njoftuar për të qenë në gatishmëri për çdo rast keqësimi të situatës. Po ashtu, është përmbytur edhe tregu i produkteve bujqësore në këtë zonë.
Gjendja në Berat
Problemet më të mëdha janë shkaktuar në qarkun e Beratit. Burimet zyrtare raportojnë për shkatërrimin e një ujësjellësi dhe dhjetëra hektarëve tokë bujqësore. Dëmet janë të pallogaritshme në të mbjellat e disa zonave si dhe në bllokimin e rrugëve në zonat e thella malore siç janë Tërpani, Rroshniku, Lumasi e komunat e rrethit të Skraparit. Qyteti i Çorovodës ka mbetur pa ujë, pasi është përmbytur burimi i Guakut. Autoritetet vendore kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, pasi ka mungesë fondesh për të riparuar dëmet e shkaktuara.
Gjatë tri ditëve të fundit, pjesa më e madhe e vendit tonë është përfshirë nga reshjet, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Sipas meteorologëve, edhe dita e sotme pritet të jetë me reshje lokale. “Vendi ynë ditën e shtunë do të ndikohet nga vlera të larta të presionit atmosferik. Masat e ajrit që qarkullojnë janë të paqëndrueshme, më të freskëta dhe të lagëta. Moti do të jetë me vranësira të ndërrueshme dhe me kthjellime”, - thonë ekspertët e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në Tiranë.

Deputeti Braçe: "Berisha e ka dënuar qarkun e Beratit me ‘vdekje’”

BERAT - Të 25 njësitë vendore të qarkut nuk kanë asnjë qindarkë në arkat e tyre për të përballuar emergjencat civile për faj të qeverisë “Berisha”. Kështu u shpreh dje deputeti i zonës Erion Braçe gjatë një konference të dhënë në qytetin e Beratit. Ai ka pohuar se mungesa e investimeve nga qeveria prej disa vitesh në këtë qark ka sjellë edhe situatën kaotike në të cilën ndodhet kjo zonë, pas reshjeve intensive të shiut që kanë rënë ditët e fundit. Braçe ka pohuar se situata po rëndohet, prurjet e lumenjve dhe përrenjve janë katërfishuar, duke sjellë përmbytje në të gjithë fshatrat që ndodhen buzë përrenjve malorë. Deputeti Braçe ka pohuar se kjo situatë është më problematike në rrethin e Skraparit, ku qyteti prej dy ditësh ka mbetur pa ujë të pijshëm për shkak se prurjet e lumit kanë dëmtuar ujësjellësin në vendburimin e tij. Riparimi i këtij defekti të rëndë kërkon një investim të madh dhe ende nuk dihet se kur ky qytet me 8000 banorë do të mund të ketë sërish furnizim me ujë të pijshëm”, - tha Braçe. Situata mbetet problematike për institucionet e shërbimit publik si spitalet, kopshtet, çerdhet dhe shkollat. Braçe ka akuzuar Berishën se e ka dënuar qarkun e Beratit me vdekje, duke e lënë atë pa asnjë investim dhe në rrezik të përhershëm përmbytjesh.

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›