E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja mblidhet për Kolegjin Zgjedhor, ftohen edhe përfaqësues të partive politike



Përzgjedhja e gjyqtarëve të gjykatave të apelit për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor do të bëhet me short. Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të zhvillohet të hënën dhe aty do të ftohen edhe përfaqësues të partive politike. Pjesë e shortit për anëtarë të Kolegjit Zgjedhor bëhen të gjithë gjyqtarët e gjykatave të apelit në vendin tonë, me përjashtim të gjyqtarëve për të cilët është vendosur fillimi i çështjes penale; nëse është në fuqi një masë disiplinore; nëse është filluar procedimi disiplinor. Pas nxjerrjes së tetë emrave nga kutia, secili nga përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në short ka të drejtë të përjashtojë një prej tetë emrave të nxjerrë nga kutia e shortit, duke mos pasur të drejtën e kundërshtimit asnjë nga partitë e tjera. Kërkesa për përjashtim përmban vetëm emrin e gjyqtarit, pa përmendur shkaqet e përjashtimit dhe është procedurë e fshehtë. KLD-ja, kur konstaton rastin e përjashtimit, brenda një ore nga shorti i parë organizon një hedhje të dytë të shortit për të zëvendësuar emrat e përjashtuar nga partitë politike. Tetë emrat që mbeten përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe menjëherë delegohen në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›