E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët lokalë të PD mësyjnë mbi pronat

Nga Luljeta Progni

Partia Socialiste denoncoi dje vjedhjen e hapur të pronave që po bëhet nga pushtetarët demokratë, me dijeni të plotë të kryeministrit, Sali Berisha. Nënkryetari socialist i grupit parlamentar, Erion Braçe, solli shembuj të këtyre vjedhjeve dhe zbuloi skemën e vjedhjeve.

“Skema ka qenë dhe është e qartë dhe publike: tokat me vendime administrative certifikohen në Zyrën e Regjistrimit të Pronave Private dhe në fund blihen fizikisht.

Po t'u hedhësh një sy deklarimeve të pasurive të pushtetarëve tanë, të gjitha të blera me çmime qesharake, prona në sipërfaqe të konsiderueshme, duke nisur nga familja e kryeministrit dhe më poshtë.

Së fundi, në ikje sipër, zhvatja e tokave publike ka formësuar një fushatë masive në të gjithë territorin e vendit”, - tha Braçe.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist solli më pas disa shembuj. “Totalisht jashtë kontrollit, për shkak të funksionimit politik të prefektëve, pushtetarëve të Partisë Demokratike në Vlorë, Elbasan, Lushnjë, janë ata që po shpërndajnë masivisht toka publike, në pronësi të familjarëve, përfaqësuesve politikë, të afërt me ta, klientë të tyre, e gjitha kjo në sasi të konsiderueshme.

Në vetëm 2 muaj, në komunën Novosel-Vlorë, janë ndarë 100 hektarë dhënë me qira, ku përfitues janë: këshilltari i PD, 1 ha, kryetari i PD së zonës-këshilltar, 10 ha, shoferi i kryetarit të komunës, 10 ha, një tjetër këshilltar i PD, 4.6 ha, djali i sekretarit të komunës, 0.2 ha, vëllai i sekretarit të komunës, 1 ha, djali i kryetarit të komunës, 10 ha, dy pushtetarët vendorë e drejtorë drejtorish në Vlorë, 18.3 ha, 2 biznese të dështuara, klientë politikë, 19.5 ha.

Në Elbasan, procesi njoftohet publikisht në gazetën lokale të PD të qarkut, nga drejtuesit lokalë të PD.

Në rrethin e Lushnjës, kryetari i Bashkisë së Divjakës këtë vjedhje e ka bërë në emër të të vdekurve, duke nisur nga babai i tij, që ka kohë që ka ikur nga kjo botë. Pra, ky fenomen që po ndodh, është pothuaj një grabitje kombëtare me përmasa të paprecedenta, nën sytë, nën mbikëqyrjen dhe me vendimet e Sali Berishës”, - tha Braçe.

“Të gjitha këto toka publike që po grabiten me shpejtësi, që po pasurojnë në kundërshtim me ligjin pushtetarë, familjarë e klientë politikë, të gjitha bashkë, do të duhet të përbënin fondin publik të tokave që do të kompensojë fizikisht ish-pronarët, duke ulur koston e kompensimit financiar që nuk po ndodhë.

Ndërsa, ne, qytetarët, jemi një herë të grabitur nga Sali Berisha, që tokat publike të shtetit i ndan në mënyra korruptive te familja e tij politike, kurse ish-pronarët janë dy herë të vjedhur, ku prej 4 vitesh po presin të zbatohet ligji për kthimin e kompensimin fizik të pronave të tyre.”

PD: Për titujt e pronësisë po mashtrohet

Partia Demokratike i quajti të pavërteta deklaratat e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS në lidhje me titujt e pronësisë. Zëdhënësi, Gerti Bogdani, tha se verifikimi i titujve të pronësisë do nxjerrë në pah shumë abuzime. Ai shtoi se socialistët kanë votuar kundër ligjit për verifikimin e titujve të pronësisë.

“Edi Rama, nëpërmjet yllit të shndritshëm të politikës së re, Erion Braçe, nxori në treg shpifjen dhe trillimin e ditës për grabitje tokash në rrethe të ndryshme të vendit. Pa përmendur autorë, pa përmendur emra, por vetëm pushtetarë të PD, paçka se në këto qytete në pushtet është Partia Socialiste.

Këto shpifje dhe trillime nuk janë të rastësishme, por janë të mirë-kalkuluara, sepse verifikimi i titujve të pronësisë do të nxjerrë në pah abuzimet e mëdha të qeveritarëve dhe pushtetarëve me tokat dhe pronat e qytetarëve.

Ndaj ligjit të verifikimit të titujve të pronësisë, z. Rama votoi kundër miratimit të tij. Pikërisht se i trembet zbatimit të tij, që do të zbulojë vjedhjet dhe abuzimet me qindra e qindra hektarë tokë në zonat turistike dhe zona të tjera të vendit”, - tha Bogdani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›