Ndërtimi i “Club Med” nis pas protestave
Punimet nisën në fshatin e parë turistik të kompanisë “Club Med” në Shqipëri, por vetëm pasi policia e pastroi rrugën nga një pengesë e ndërtuar nga fshatarët protestues dhe arrestimit të disa personave, deklaruan burime zyrtare të enjten.
Katër vjet pasi qeveria dha lejen, pamjet televizive shfaqën mjetet e ndërtimit dhe makinat e rënda për gërmim afër bregut të detit në gjirin e Kakomesë, përballë ishullit të Korfuzit.
Fshatarët e zemëruar thonë se ndërtuesit nuk kanë siguruar lejen e nevojshme të ndërtimit dhe autoritetet nuk duhet ta kishin lejuar nisjen e punimeve pa vendosur Gjykata e Apelit se kush është pronar i tokës - qeveria apo 129 familjet e zonës.
Ky konflikt është shembull tipik i paqartësisë për të drejtën e pronës së Shqipërinë postkomuniste. E drejta e pronës është një sfidë kyçe për progresin e ekonomisë dhe rikthimi i pronës te pronarët para vendosjes së regjimit komunist është përfshirë nga korrupsioni dhe favorizimet.
“Ne kemi filluar punë dhe gjithçka po ecën normalisht. Falënderoj qeverinë dhe policinë për ndihmën e tyre”, - tha Dritan Çelaj, menaxheri i “Albanian Riviera”, partneri lokal i “Club Med”.
Fshatarët thanë se puna kishte filluar më 9 janar në agim, pasi 400 policë, të pajisur me dy makina të armatosura dhe snajperë, shkatërruan një pengesë të sajuar me makinat e fshatarëve.
Ndërtuesit e projektit dhe qeveria shpresojnë që projekti 30 milionë euro do ta vendosë Shqipërinë, e cila u izolua nga bota për afërsisht 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore nën pushtetin e diktatorit stalinist Enver Hoxha, në hartën e turizmit masiv.
Me partner dhe operator turesh kompaninë franceze “Club Mediterranee”, firma lokale “Albanian Riviera” mori lejen në vitin 2004 nga kryeministri socialist, Fatos Nano, për të ndërtuar 350 vila luksoze me 700 krevate në qendër të gjirit me formë patkoi.
“Club Med” nuk iu përgjigj kërkesave për rifreskim informacioni në lidhje me projektin.
Gjykata e Apelit duhet të vendosë
Vladimir Kumi, kryetari i komunës, tha se qeveria kishte shkelur ligjin duke lejuar fillimin e punimeve, para se të jepte vendimin Gjykata e Apelit, pro qeverisë apo 129 familjeve të zonës në lidhje me pronësinë e tokës.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi kundër fshatarëve, duke argumentuar se ata e blenë tokën nga Perandoria Otomane më 1878, e kështu pretendimi i tyre nuk ishte i vlefshëm, sepse otomanët ishin pushtues. Fshatarët thonë se kjo është absurde, sepse kjo do të thotë që gjysma e pronarëve shqiptarë nuk kanë të drejtë për pronën e tyre.
“Ata (ndërtuesit) nuk kanë as lejen e përshtatshme të ndërtimit. Ata kanë nevojë për KKRRT kombëtare dhe jo ajo rajonale”, - tha Kumi, që është një nga pronarët pretendentë për tokën.
Çelaj tha se ndërtuesit e kishin marrë tokën me qira për 99 vjet nga qeveria dhe nëse gjykata vendos për tjetër pronar të ligjshëm, kontrata e kompanisë do të kalonte me ta. Fshatarët thonë se kushdo që ndërton, fillimisht duhet të bisedojë me ta.
Kumi tha se fshatarët i kishin kaluar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri duke u kujdesur për fortifikimin e bllokadës në rrugë, pas shume muaj përplasjesh me policinë. “Katër persona, përfshi edhe kryeplakun e fshatit dhe inspektorin e punimeve, u burgosën pas një proteste të vogël dhe do të dalin në gjyq më 19 janar. Katërmbëdhjetë të tjerë u ndaluan përkohësisht më 9 janar, kur policia prishi bllokimin e rrugës”, - tha Kumi.