E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kosova, shembull i tolerancës fetare

Drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit, pritën e përcollën krerët e institucioneve dhe partive politike, të cilët erdhën në selinë e kësaj bashkësie për t`i uruar gjithë komunitetit islam në Kosovë festën e Kurban Bajramit. Megjithëse pritej të vinte për vizitë edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ajo nuk erdhi, mirëpo aty u pa Seremb Gjergji i cili para disa ditësh ka paraqitur kandidaturën e tij për president të ardhshëm. Po ashtu, aty nuk u panë as kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe as ai i LDD-së, Nexhat Daci.

Me mesazh urimi dhe paqeje në selinë e Bashkësisë Islame erdhi kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili theksoi se Kosova ka qenë shembull i tolerancës fetare, derisa uroi të gjithë qytetarët e Kosovës posaçërisht ata që i përkasin fesë islame me një mesazh për paqe e mirëkuptim.

“Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet shembull i tolerancës fetare, politike e qytetare. Në këtë drejtim, Bashkësia Islame e Kosovës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Prandaj, edhe sot uroj të gjithë qytetarët, besimtarët e fesë islame të Kosovës dhe të gjithë myslimanët kudo që janë për festën e tyre, me urimin e rritjes së solidaritetit, vëllazërisë ndaj njeri-tjetrit, e në të njëjtin kohë mesazhit të paqes dhe të mirëkuptimit” , ka thënë Thaçi.

Ndërkaq për të treguar për tolerancën fetare që mbretëron në Kosovë, Bashkësinë Islame e vizitoi edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Ai uroi të gjithë besimtarët islam për festën e tyre, duke thënë se sakrifica është pjesë e jetës së njeriut dhe ndërlidh shpirtin e tij me zotin.

“Urime të gjithë atyre që e festojnë dëshirojnë t’iu besimtarëve të besimit islam në Kosovë dhe të gjithë juve festën e Kurban Bajramit, sakrifica është pjesë e jetës së njeriut, është pjesë e të gjitha feve, është pjesë e komunikimit të shpirtit me Zotin, kështu që gatishmëria për sakrificë prodhon të mirën e përbashkët dhe dashurinë për njëri-tjetrin, unë iu uroj të gjithëve”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Fahrush Rexhepi, me rastin e festës së Kurban Bajramit, priti edhe një delegacion nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për një mirëqenie dhe të ardhme sa më të ndritur të shtetit.

“Sot erdhëm në selinë e Bashkësisë Islame, për të uruar gjithë besimtarët islam, për sakrificën, solidaritetin për të gjitha ato që populli ynë ka kaluar dhe për ditë më të mira për të gjithë besimtarët, për shqiptarët kudo që janë dhe për një mirëqenie për popullin tonë dhe për të ardhmen e ndritur të shtetit tonë”, ka thënë Isufi.

Ndërsa nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, pasi ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban-Bajramit, përkujtoi rëndësinë e kësaj feste që përçon frymën e solidaritetit, paqes dhe tolerancës ndërfetare.

“Mesazhi kryesor i kësaj feste është solidariteti dhe mesazhi i sakrificës, dhe për të gjithë është një moment i mirë që të kujtojmë se ku jemi, të mendojmë për shoqërinë, familjen, për të gjithë ata që na rrethojnë, prandaj edhe një herë ju uroj festën e Kurban-Bajramit dhe shpresojmë se ky vit do të jetë më i mirë se sa viti i kaluar”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani gjatë vizitës që bëri në Bashkësinë Islame duke uruar të gjithë për festën e Kurban Bajramit, theksoi se populli i Kosovës është i përkushtuar që në themelet e tij të vendosë vlerat e solidaritetit.

“Populli i Kosovës është i përkushtuar që në themelet e shtetit të tij të vendosë vlerat më të larta hyjnore,vlerat e besimit,vlerat e sakrificës dhe vlerat e gatishmërisë për solidaritet të përgjithshëm” ,ka thënë Agani.

Në anën tjetër, nënkryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Fahrush Rexhepi uroi që kjo ditë të jetë ditë e solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve. Ai me këtë rast nuk la pa përmendur skamnorët dhe familjet e dëshmorëve duke kërkuar një angazhim të shtetit të Kosovës në mbretërimin e gjallërisë dhe zhvillimit më të madh ekonomik.

“Apelojmë siç kemi apeluar edhe në një prag të festës së Kurban Bajramit edhe në ditën e sotme për një solidaritet do të thotë edhe më të madh, për një përkujdesje dhe për një mirëqenie sociale edhe më të madhe për shoqërinë tonë për shtresat tona të varfra, për skamnorët, jetimët, familjet e dëshmorëve për familjet të cilat kanë dhënë më të dashurit e tyre për pavarësinë e Kosovës, prandaj kërkojmë për një koordinim, organizim dhe angazhim edhe të institucioneve të shtetit që në çdo hapësirë të shtetit tonë të mbretërojë një gjallëri dhe një jetë më aktive, një zhvillim më i madh ekonomik, mirëqenie sociale dhe siguri për të gjithë”, ka thënë Rexhepi.

Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit e vizituan edhe komandanti i KFOR -it, Erhard Drews, komandanti i FSK-së gjeneral Sylejman Selimi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli si dhe delegacione të ndryshme vendore dhe të huaja. Megjithëse pritej që për vizitë të vinte edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ajo nuk erdhi, mirëpo aty u pa Seremb Gjergji i cili para disa ditësh ka paraqitur kandidaturën e tij për president të ardhshëm. Po ashtu, aty nuk u panë as kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i LDD-së, Nexhat Daci. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›