E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strukturat paralele duhet të shuhen

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovës, Piter Feith, ka përsëritur se bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë kurrfarë ndryshimi të kufijve dhe ka vlerësuar se situata në Ballkan është e stabilizuar gjeografikisht.

Ai në një intervistë për mediat serbe ka thënë se shpreson që problemi i barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar në veri do të zgjidhet përmes rrugës paqësore, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e kancelares gjermane Angela Merkel për shuarjen e strukturave paralele serbe në veri.

Sipas Feith duhet të ekzistojë komunikimi ndërmjet veriut dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi që të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare pajtohen që veriu duhet të mbetet brenda Kosovës.

“Bashkimi Evropian nuk mund të tolerojë që veriu i Kosovës të përfundojë si konflikt i ngrirë”, është shprehur Feith.

Ndërkohë që serbët vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen e doganierëve dhe policëve në pikat 1 dhe 31 në veri, shefi i ICO-s ka përkujtuar se Kosova është një njësi e vetme doganore.

“Janë përmbyllur marrëveshjet në dialogun teknik, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian”, ka thënë Fejth, duke shtuar se marrëveshja për vulat doganore të Kosovës është pranuar nga të dyja palët si dokument zyrtar.

“Mendoj se për zbatimin e kësaj marrëveshjeje duhet të jetë e qartë se është e rëndësishme që në pikat kufitare të jenë të pranishëm doganierët e Kosovës”, ka theksuar shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Dialogu i sponsorizuar nga BE-ja është ndërprerë në shtator të këtij viti me fajin e palës serbe, e cila ka kërkuar hapjen e diskutimeve për pikat kufitare. Por, Feith shpreson që dialogu të jetë sa më i rëndësishëm dhe përmbajtësor dhe ka vlerësuar se ekziston një presion i caktuar mbi të dyja palët, që dialogu të vazhdojë para takimit të BE-së në dhjetor kur do të shqyrtohet statusi i kandidatit të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›