Së shpejti në Bruksel?
Prishtina dhe Beogradi pritet të fillojnë shpejt procesin e ndërprerë të bisedimeve.
Burime të gazetës në Bruksel kanë bërë të ditur se në kryeqytetin europian është një pritje e përgjithshme se palët do t’i kthehen në një afat të shkurtër procesit të dialogut.
“Jam optimist dhe është një pritje e përgjithshme se dialogu mund të fillojë shpejt. Lehtësuesi është në kontakt të vazhdueshëm me dy palët dhe diskutimet janë mjaft konstruktive”, ka thënë një zyrtar i BE’së për gazetën në kushte anonimiteti.
Ky zyrtar ka bërë të ditur se Bashkimi Europian bashkë me Prishtinën dhe Beogradin po përpiqet të gjejë disa zgjidhje për të rikthyer procesin.
“Ka ende disa çështje që duhen zgjidhur por ne besojmë se ekzistojnë zgjidhje që janë në interesin e secilës palë”, ka thënë zyrtari i BE’së.
Procesi i bisedimeve në Bruksel ishte ndërprerë në muajin shtator, pas refuzimit të palës serbe për të biseduar për tema teknike, pa zgjidhur fillimisht çështjen e dy pikëkalimeve kufitare në Veri.
BE’ja kishte bërë të ditur se raundi i shtatë i bisedimeve nuk do të mbahej për shkak të insistimit të Serbisë për të diskutuar për çështje që nuk kanë qenë pjesë e agjendës.
Ndërmjetësuesi Robert Cooper tashmë ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin por akoma nuk ka arritur t’i bind palët që të kthehen në Bruksel.
“Diskutimet janë duke vazhduar, por ende nuk ka një datë”, ka thënë zyrtari i BE’së.
Kohë më parë, Zëvendësministrja Edita Tahiri kishte përmendur muajin mesin e muajit nëntor si një afat të vazhdimit të bisedimeve.
Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për regjistrat civilë, qarkullimin e lirë dhe njohjen e diplomave dhe vulat doganore. Ndërkohë që çështjet e telekomit, energjisë elektrike dhe të bashkëpunimit rajonal akoma mbeten në tryezë të bisedimeve.
Komisioni Europian tashmë ka kushtëzuar progresin e Serbisë drejt BE’së me këto çështje, derisa Prishtina ka akuzuar Beogradin se nuk po i implementon marrëveshjet e arritura.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kohë më parë kishte përmendur 20 nëntorin si afat përfundimtar për Serbinë rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura. Ajo madje ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes nga bisedimet nëse marrëveshjet nuk implemntohen. Por sipas saj, një gjë e tillë do të mund të ndodhte vetëm pas konsultimeve me faktorin ndërkombëtar.
Analistët politikë parashohin se Serbia do të kthehet në bisedimeve para takimit të Këshillit të BE’së, në muajin dhjetor, kur pritet të vendoset rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE.
Pala serbe ndërkaq thotë se është duke biseduar me Brukselin rreth dy pikave doganore, e më pas do të kthehet në dialog me Prishtinën.
Delegacioni i Kosovës ka mohuar se Brukseli po bisedon vetëm me Beogradin.
E në Bruksel thonë se po bisedojnë me të dyja palët, pa dhënë detaje.
“BE’ja po bisedon me të dyja palët rreth çështjes së menaxhimit të kufijve në kontekst të marrëveshjeve të arritura rreth lirisë së lëvizjes dhe vulave doganore”, ka thënë zyrtari i BE’së për gazetën.