Përplasen për vdekje dy të moshuarit

Mjetet e përfshira në aksidentin e djeshëm në Lezhë
Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në superstradën Lezhë-Tiranë.Dy udhëtarët e një motori u përplasën fuqishëm nga një fuoristradë në superstradën e vdekjes. Një 75-vjeçar dhe kushërira e tij e moshuar humbën jetën në vend, pas një daljeje të papritur në rrugën nacionale. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, aksidenti ka ndodhur në orën 07:30 në segmentin Lezhë-Milot, në afërsi të kryqëzimit me fshatin Shënkoll. Të njëjtat burime shprehen se çiklomotori, i cili drejtohej nga 75-vjeçari Gjon Deda nga Ishulli i Lezhës, po dilte nga rruga dytësore e fshatit Tale për të hyrë në superstradë, kur u përplas nga automjeti me targa TR 6671 R që drejtohej nga Haxhi Dajko, 47 vjeç. Sipas burimeve të policisë, në momentin kur Deda po dilte në rrugën kryesore, nuk ka vënë re fuoristradën që po vinte në drejtim të Lezhës, duke dalë menjëherë në rrugën kryesore. Për pasojë, është përplasur me makinën fuqishëm, drejtuesi i së cilës nuk ka pasur mundësi dhe kohë të reagojë për të shmangur përplasjen. Në vend ka humbur jetën drejtuesi i çiklomotorit, Gjon Deda, si edhe vajza e hallës së tij, 70-vjeçarja Gjelina Prelashi, edhe ajo banore në Ishull Shëngjin. Pas aksidentit, policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke kryer edhe ekspertizën e aksidentit, ndërsa ka arrestuar drejtuesin e fuoristradës, Haxhi Dajka, nga Tirana. Pritet që pas kryerjes së saktë të ekspertizës, të dalë dhe shkaku i saktë i aksidentit, ndonëse nga dëshmitë e para pohohet për një ngjarje nga pakujdesia e drejtuesit të motorit. Prokuroria e Lezhës do të vendosë më pas mbi masën e arrestit të Dajkos, pasi të sigurojë aktin e ekspertizës nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore dhe marrjen e deklarimeve të dëshmitarëve që panë çastet e aksidentit fatal.
LEZHE/ Roland Nikolli