Mungojnë projektligjet, qeveria anulon mbledhjen
Qeveria ‘bllokon‘ punën nga mungesa e projektligjeve. Mungesa e opozitës në Kuvend, nuk ka sjellë pengesë vetëm për Parlamentin por edhe për qeverinë, e cila mban peng draftet për integrimin e vendit, të cilat kërkojnë 84 vota në Kuvend. Ndërtimi i buxhetit të ri, përqendrimi i vëmendjes së qeverisë te liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat në BE kanë frenuar ritmin e kabinetit "Berisha" në përgatitjen e projektligjeve. Që prej 18 shtatorit, kur kanë filluar punën në mënyrë zyrtare 15 ministrat e kabinetit "Berisha", Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithsej 97 vendime. Vlen të theksohet se nga të gjitha draftet e miratuara nga qeveria gjatë kësaj periudhe, ato më të rëndësishme kanë qenë projektligjet e përgatitura nga Kryeministri Berisha, ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, dhe ai i Arsimit, Myqerem Tafaj. Gjatë dy muajve punë dhe deri më sot, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë arritur të çojnë drejt miratimit asnjë vendim që mban relacionin e tyre. Po kështu, në një nivel të dobët është edhe Ministria e Kulturës, të cilës i është miratuar vetëm një vendim dhe ai lidhej me shpërblimin e dy sportistëve shqiptarë. Ministria e Bujqësisë ka finalizuar vetëm vendimin për "lejimin e procedurave të prokurimit për disa objekte të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit". Listën e ministrive që kanë dorëzuar më pak vendime se ministritë e tjera në Këshillin e Ministrave e pason Ministria e Jashtme me dy drafte dhe Ministria e Integrimit me tri të tilla. Rritja e kompetencave të ministrit të Shtetit duket se ka rritur edhe ritmin e punës, pasi në mbledhjet e fundit 4 relacione të përgatitura nga ministri Pollo kanë arritur të marrin miratimin nga Këshilli i Ministrave. Nga 97 vendime të miratuara nga Qeveria e Integrimit Europian, 10 prej tyre janë përgatitur nga Kryeministri Berisha. Vendimet për titujt e pronësisë, faljen e kamatëvonesave të kontributeve shoqërore të papaguara për të vetëpunësuarit në bujqësi, për procedurën civile, janë përgatitur nga Kryeministri Berisha. Ministria e Brendshme është në krye me 23 vendime, ku pjesa më e madhe e tyre janë për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore. Ndonëse në kohën ku qeveria po përgatiste buxhetin e ri, Ministria e Financave ka dhënë plot 13 projektligje të vlefshme që kanë mbajtur në nivelin e duhur punën e Këshillit të Ministrave. Për miratimin e masterave të nivelit të dytë dhe doktoraturave, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kaluar në mbledhjen e qeverisë 16 vendime. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka miratuar 9 vendime të sajat, ndërsa Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vetëm pesë prej tyre.
E.Ajazi
E.Ajazi