Përplaset me makinën, plagoset
Durrës - Në vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës, duke drejtuar automjetin e tij tip Benz-Fuoristradë, me targa TR 2370 M, është përplasur me një motoçikletë pa targa 50 CC, duke i shkaktuar plagosjen shtetasit Halit Bilali, banues në Durrës. Sipas të dhënave për agjencinë e lajmeve NOA, ngjarja i ka ndodhur një shtetasi nga Patosi dhe materialet për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, e parashikuar nga Neni 290 i Kodit Penal, i kanë kaluar policisë.
Procesi ndaj Krenar Ahmetit, përfundon pyetja e dëshmitarëve të akuzës
Tiranë - Ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti, i emëruar shef Rendi në qytetin e Elbasanit, po përballet me dy padi penale nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës me akuzën se ka kryer veprën penale të veprimeve arbitrare. Një padi vjen nga prokurorja e Krimeve të Rënda Elisabeta Hajri, ndërsa padia tjetër nga Hekuran Neza, një qytetar me banim në Tiranë, që thotë se është shoqëruar në mënyrë arbitrare. Në seancën e djeshme, ku Ahmeti ishte i pranishëm, ka dhënë deklarimet e tij dëshmitari i fundit i akuzës, Elidon Senja. “Më datën 25 maj të vitit të kaluar, kam parë të njohurin tim Hekuran Neza duke biseduar me një person në një automjet policie. Fillimisht mendova se kishte nisur punë në polici, por më pas pashë që situata u acarua”, - kështu ka nisur të tregojë dje para gjykatës Elidon Senja. Sipas tij, atë ditë kishte ndaluar automjetin e tij përpara dy Kullave për të blerë një byrek, kur ka parë Nezën, me një person me trup mesatar, të dobët, për të cilin më pas kishte mësuar se ishte Krenar Ahmeti.
Dëshmitari deklaroi se e vetmja gjë që kishte arritur të dëgjonte ishte që Neza i ishte drejtuar Ahmetit duke i thënë: “Zotëri, po qe se ta njeh ligji, më jep lejen e qarkullimit rrugor”. Senja ka treguar më pas se Neza i ka kërkuar që ai të jepte deklarime për atë çfarë kishte parë. Pas përfundimit të dëshmisë, prokurori i çështjes ka paraqitur edhe provat shkresore të tij, ndërsa mbrojtja kërkoi thirrjen e 6 dëshmitarëve. Seanca e radhës do të zhvillohet në datën 10 mars. Të pandehur në këtë gjykim janë Krenar Ahmeti, Alfons Gjoni dhe Blenardh Vathi, të cilët akuzohen nga prokuroria për veprën penale “Veprime arbitrare”.
Skandali në Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar, dëshmon ish-ministri Kosta Barka
BERAT - Prokuroria e Beratit ka thirrur dje, për të dëshmuar në lidhje me çështjen e Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar të Poliçanit, ish-ministrin e Punës, Kosta Barka. Barka është thirrur nga Prokuroria në lidhje me hetimet që ky organ ka shtrirë deri në këtë ministri, e cila në atë kohë është drejtuar nga Barka. Ish-kreu i Ministrisë ka mbërritur në Prokurorinë e Beratit rreth orës 10:30, ku ka qëndruar për katër orë në pyetje nga hetuesi i çështjes. Hetuesi Bledar Velikaj i ka kërkuar ish-ministrit shpjegime në cilësinë e dëshmitarit mbi fondet e akorduara nga Ministria që ai drejtonte në periudhën janar-mars 2007. Pikërisht gjatë kësaj periudhe kohore kjo ministri i ka akorduar qendrës një fond prej 3.800.000 lekësh, për përballimin e shpenzimeve. Ish-ministri Barka ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë organin e akuzës në lidhje me hetimet që ka marrë ky organ. Hetimet kanë nisur një muaj më parë.
25 Shkurt 2009