E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Hoxha”, pesë ish-shikas dëshmojnë në gjykatë

Ish-shefi i Komisariatit: “Targa që verifikuam nuk ishte në qarkullim”. Dëshmia e mikut të Ziso Kristopullit: “Në makinë ishte edhe Avni Koldashi

Ish-shefi i Komisariatit NR.3 në Tiranë, Jani Naçi, ishte një nga 6 dëshmitarët e procesit të djeshëm gjyqësor për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995. Dëshmitari tha para togave të zeza se me t’u vënë në dijeni të ngjarjes së rëndë kishte nisur verifikimet e posaçme. Ish-shefi i Komisariatit Nr. 3 shpjegoi se drejtues të policisë rrugore në atë kohë kishin konfirmuar zyrtarisht se targa e makinës, me të cilën ishte rrëmbyer Remzi Hoxha, nuk ishte hedhur fare në qarkullim. Dëshmitarët e tjerë të procesit të djeshëm ishin edhe tre ish-inspektorë të SHIK-ut: Uljan Elezi, Sokrat Cala dhe Xhevdet Bashellari, një shok klase i Ziso Kristopulit dhe mik i vjetër i Avdyl Loshajt. Në fund të procesit, gjykata dëgjoi me dyer të mbyllura dëshminë e ish-punonjësit të SHIK-ut Ismet Saliu.
Dëshmitë
Xhevdet Bashellari, një i njohur i Ziso Kristopullit, dëshmoi dje para kolegjit penal gjithçka që i kishte rrëfyer miku i tij.
Sipas dëshmitarit Bashellari, Ziso Kristopulli i kishte rrëfyer se pas rrëmbimit në Ksamil të Sarandës e kishin sjellë në Tiranë dhe në makinën ku ndodhej ai ishte edhe zyrtari i SHIK-ut, Avni Koldashi, një nga katër të pandehurit e këtij procesi. Të tjerë dëshmitarë të akuzës ishin edhe 4 ish- inspektorë të SHIK-ut, ndër të cilët Ismet Saliu, që dëshmoi me dyer të mbyllura.
Dosja
Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, afro 14 vjet më parë në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon katër ish-punonjës të SHIK-ut, konkretisht Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron, Budjon Meçen dhe Avni Koldashin. Ndaj tyre rëndon akuza edhe për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Gjyqi zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e ish-shikasve rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995 dhe që prej asaj kohe nuk u mësua asgjë për fatin e tij. Prokuroria akuzon ish-punonjësit e SHIK-ut se e kanë torturuar dhe më pas zhdukur atë. Mes dëshmitarëve, në këtë proces ishte edhe gjenerali Agim Shehu, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, njëkohësisht ish-zëvendësministër i Brendshëm, si dhe Fatos Klosi, ish-shefi i SHIK-ut.

Ministria, forum për dënimet alternative

Tiranë - Reformimi i sistemit të Drejtësisë në rajonin e Ballkanit, sidomos në drejtim të zbatimit të masave alternative për të miturit në konflikt me ligjin, është qëllimi parësor i një forumi ndërkombëtar, i cili do të organizohet më 25-26 shkurt në Tiranë. Organizatorë të Forumit janë Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Norvegjez i Ndërmjetësimit(SHNN),UNICEF, Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë dhe fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” (FZK) në partneritet me institucione ndërkombëtare: Instituti i Kriminologjisë dhe Sociologjisë së Ligjit në Universitetin e Oslos dhe Forumi Europian për Drejtësinë Restauruese. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë bënë të ditur dje se forumi synon zhvillimin e dialogut rajonal ndërinstitucional si dhe kontributin në ngritjen e rrjeteve rajonale ndërprofesionale për zbatimin e drejtësisë restauruese dhe ndërgjegjësimin e aktorëve shtetërorë dhe të shoqërisë civile për zhvillimin e drejtësisë restauruese në kontekstin e rajonit të Ballkanit.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›