Përplaset në autostradë kamioni me bombola gazi
Dy kamionë, një prej të cilëve transportonte bombola gazi, janë përplasur dje paradite në autostradën Gjirokastër-Kakavijë. Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Frashtan të Dropullit të Poshtëm, pranë godinës së kompanisë FRESH. Shpërthimi i bombolave të gazit është arritur të shmanget në kohë, pasi në rast të kundërt do të shkaktonte shkatërrimin total të dy mjeteve të rënda së bashku me drejtuesit e tyre. Policia e qarkullimit rrugor, së bashku me Shërbimin Zjarrfikës, kanë arritur të normalizojnë gjendjen falë ndërhyrjes në kohë. Për drejtuesin e Repartit të Zjarrfikësve, Lefter Qiriqi, kamioni që transportonte bombolat e gazit me targa TR1774K, i drejtuar nga 42-vjeçari Roland Çeno, gjatë parakalimit në krahun e kundërt, është përplasur me maunen me targa SH5153E, e drejtuar nga 50-vjeçari Tahir Buhaj, i cili po udhëtonte drejt Kakavijës.