E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset nga kamioni, ndërron jetë 75-vjeçarja

AKSIDENTI/ Diturie Zhylegu ka vdekur paraditen e së mërkurës si pasojë e goditjes nga një automjet me targa turke


KORÇË - Shkon të vizitojë të bijën e sëmurë, por teksa kthehet në shtëpi vdes e përplasur nga një kamion me targa turke. 75-vjeçarja Diturie Zhylegu ka ndërruar jetë paraditen e djeshme kur përpiqej të kalonte nga një krah i rrugës në tjetrin.


Policia ndërkohë ka vënë në pranga drejtuesin e automjetit, shtetas turk, i cili akuzohet për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen". Burime nga policia bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur paraditen e së mërkurës, rreth orës 11:00, në segmentin Korçë-Kapshticë, pranë fshatit Vranisht.


Kamioni me targa turke që udhëtonte drejt shtetit grek nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, ka qenë duke ecur me shpejtësi në kohën kur një e moshuar, banore e fshatit Tren, ka qenë në rrugë në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të saj.


Mosmanovrimi në kohë i drejtuesit të mjetit të tonazhit të rëndë ka sjellë dhe aksidentin fatal ku 75-vjeçarja ka mbetur e vdekur si pasojë e përplasjes së pazakontë. Ndërkaq, mjeti ka dalë nga rruga duke u dëmtuar pjesërisht dhe duke prishur një nga paretet anësore të rrugës.


Drejtuesi i mjetit, Ajhan Karadak, i cili është banor i Ankarasë, nuk ka pësuar dëmtime. Ai është arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia e Devollit nën akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen".


Mësohet se para oficerëve të policisë gjyqësore, shoferi 40-vjeçar ka deklaruar se ka qenë e moshuara ajo që i ka prerë rrugën, argument që pritet të zbardhet nga ekspertiza shkencore. Bëhet e ditur se 75-vjeçarja po kthehej nga fshati Vranisht ku kishte vizituar të bijën, pasi e kishte të sëmurë.


Aksi rrugor Korçë-Kapshticë shpeshherë është kthyer në shesh aksidentesh. Vetëm gjatë këtij viti, sipas shifrave zyrtare të policisë lokale, në të kanë vdekur tre persona, ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar të tetë vetët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›