Marijuanë Fier- Tiranë, gjashtë në pranga
Një polic i komisariatit të Kavajës, dhe dy studentë janë arrestuar në flagrancë me 3.4 kg hashash në kryeqytet të martën
Dje u arrestuan tre bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar të rrjetit që shpërndante drogë në kombinat dhe tek ish- Shkolla e Bashkuar
TIRANË- Një efektiv i policisë së Kavajës, dy studentë dhe tre persona të tjerë janë arrestuar nga Antidroga e policisë së kryeqytetit me akuzën për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Dje oficerët e zyrës përkatëse kanë arrestuar pasi më parë kishin shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, po me të njëjtën akuzë. Gjatë Operacionit policor i koduar me emrin "Kursanti", janë bllokuar rreth 4 kg drogë dhe janë arrestuar tre persona.
Shkëlzen Kërçuku 23 vjeç, lindur në fshatin Lekaj të Kavajës, punonjës policie (kursant) si dhe, Juljan Plaka, 21 vjeç, student në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Vlorë, si dhe Ardit Hoxha 21 vjeç, student në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë, të dy banues në Fier, janë ndaluar nga policia pranë konviktit të djemve të fakultetit të Infermierisë.
Lajmi për arrestimin e këtyre personave është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, ku thuhet se arrestimi i dy studentëve dhe i policit është kryer pas një hetimi të vazhdueshëm, nga Seksioni i Antidrogës në Policinë e kryeqytetit.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, policia ka arrestuar edhe Marjus Metajn, 25 vjeç, i cilësuar si drejtuesi i grupit, Kujtim Ramaj 26 vjeç banues në Kombinat, i cili ishte zakonisht pritësi i mallit si dhe Visar Plaka, 23 vjeç, nga Fieri.
Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, ishte kushëri i studentit Julian Plaka dhe që mendohet se gjithashtu ishte një nga siguruesit e mallit. I Gjithë hetimi për realizimin e operacionit, sipas policisë, ka zgjatur më tepër se dy muaj.
Operacioni
Sipas Policisë, tre të arrestuarit e parë, janë kapur në flagrancë në afërsi të kryqëzimit të Farmacisë 10, pranë njërës nga godinat e Fakultetit të Mjekësisë, ku gjatë një kontrolli të ushtruar fillimisht ndaj studenteve iu është gjetur e fshehur në një çantë sasia prej 3 kg e 444 gr lëndë narkotike, e dyshuar e llojit kanabis sativa.
Ndërsa në dhomën ku strehohej studenti Shkëlzen Kërçuku, pranë godinave të Fakultetit të Mjekësisë, është gjetur sasia prej 478 gr lëndë e dyshuar narkotike.
Policia dyshon se të arrestuarit kishin krijuar një bazë, të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit, në zonën përreth ish- Shkollës së Bashkuar si dhe në godinat afër Fakultetit të Mjekësisë, bazë kjo që ishte kthyer në një problem shqetësues për strukturat e Policisë.
Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit pohojnë se arrestimi i të lartpërmendurve është kryer gjatë orëve të mëngjesit të së mërkurës, pas një hetimi dhe vëzhgimi dy mujor.
Përveç arrestimit të tre personave, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës, kanë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale sasinë prej 4 kg lëndë të dyshuar narkotike, e llojit kanabis sativa e gjetur kjo në çantat e studentëve dhe në shtëpinë e policit kursant, një pistoletë, një palë pranga, katër telefona celularë në pronësi të të arrestuarve si dhe shtatë karta telefonike të kompanive të ndryshme.
Rrejti i shpërndarjes në Tiranë
Sipas të dhënave nga Policia e kryeqytetit, dyshohet se tre të rinjtë e sillnin drogën nga qyteti i Fierit me qëllim shpërndarjen në disa zona të kryeqytetit. Transportimi i saj bëhej me mjete të rastit, si në furgon apo autobus, në kohën kur studentët lëviznin nga qyteti i tyre i lindjes në drejtim të Tiranës.
Policia sqaron se zonat ku dyshohet se shpërndahej droga që posedonin tre të arrestuarit vazhdon të mbeten më problematike në Tiranë, ku shpërndahen lëndë narkotike si në ambientet shkollore apo dhe jashtë tyre.
Specialistët e Seksionit të Drogës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, po hetojnë për aktivitetin e të arrestuarve si dhe nëse janë të përfshirë persona të tjerë në këtë veprimtari. Studentët dhe polici kursant do të përballen me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe kultivimit të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit
Julian Plaka, 21vjeç, nga Fieri, student i Gjuhëve të Huaja në Vlorë.
Visar Plaka, 23 vjeç, nga Fieri,
Ardit Hoxha, 21 vjeç, nga Fieri, student i Infermierisë në Tiranë.
Shkëlzen Kërcuku, 23 vjeç, nga Kavaja, punonjës policie në këtë qytet
Marjus Metaj 25 vjec, banues në Fier, i dyshuar si kreu i grupit
Kujtim Ramaj, 26 vjeç, banues në Kombinat
Sekuestrimet e Policisë gjatë operacionit
3 kg e 919 gr lëndë narkotike e llojit kanabis sativa
1 pistoletë
1 palë pranga
4 telefona celularë
1 armë e ftohtë thikë.
7 karta të kompanive të ndryshme.