Përplasja Rexhepi-Drews: Kritikat mos i merr personale

Kritikat që i ka adresuar në emër të KFOR-it, disa herë, për mos reagim të duhur në veri, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi thotë se ende qëndrojnë. Ai ka thënë sot se komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Erhard Drews, nuk ka nevojë t`i marrë si personale kritikat e tij, por t`i marrë si të tilla, që në veri kanë mundur të bëjnë më shumë sec kanë bërë. Këto komente, Rexhepi i ka bërë të premten në Prishtinë, duke thënë se megjithë kritikat, KFOR-i është misioni më i suksesshëm ndërkombëtar deri më tani në vendin tonë.
"Misioni i KFOR-it mund të them se është misioni më i suksesshëm ndërkombëtarë deri më tani, mirëpo këtu është një pjesë ku KFOR-i ka mundur të bëjë më shumë por nuk ka bërë. Përndryshe, KFOR -i ekziston dhe ka kredibilitet edhe tek qytetarët por edhe tek institucionet e Kosovës, por ato gjenerali nuk duhet mi marrë si personale. Kritikat ku ka vend, por duhet t`i marrë si të tilla çfarë janë. Ndoshta lidhen edhe me vetë komandën e tij personale", ka thënë ai.
Më tej Rexhepi tha se barrikadat e tjera janë larguar, por ka mbetur vetëm kjo mbi lumin Ibër, që sipas tij, mund ta largojnë për dy orë, por po analizojnë situatën që të mos ketë tensione dhe dhunë.
"Fizikisht barrikadat mund të hiqen shumë shpejt për një orë ose dy. Është çështja që të mos shkaktohen tensione dhe dhunë. Në atë drejtim kalkulohet, përndryshe fizikisht shumë shpejtë hiqen pa ndonjë problemë", shtoi ai.
Një ditë më parë, komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Erhard Drews, gjatë një vizite në Mitrovicë, është shprehur se barrikada mbi urën kryesore barrikadë është turp, pasi ka karakterin e ndarjes së një qyteti, që realisht, sipas tij, nuk është i ndarë.
Ai është shprehur se ajo barrikadë është një simbol i fuqishëm politik dhe simbolet e tilla nuk është e arsyeshme të largohen me forcë.
Sipas tij, logjika e atyre që e kanë vënë atë barrikadë nuk ndryshon edhe nëse ajo hiqet, por përkundrazi mund të krijojë pasoja të kundërta, ndaj nevojiten veprime të arsyeshme.