Lustracioni në Maqedoni, 2 emra të tjerë në listën e spiunëve

Komisioni për lustrimin në Maqedoni sot publikoi dy emrat dhe dosjet e bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete. Këshilltari komunal i komunës së Bogovinës nga radhët e BDI-së, Isak Ajrulli dhe këshilltari komunal i Gazi Babës në Shkup nga radhët e VMRO-DPMNE, Kiril Plastirov janë dy ish-spiunët e zbardhur nga komisioni për dosjet.
Sipas këtij komisioni, këto dy këshilltarë komunal kanë qenë bashkëpunëtor të fshehtë të shërbimeve sekrete. Ajrulli kishte spiunuar studentët e Tetovës, të cilët në ndeshjet e hendbollit kishin thirrur parulla “Rrofë Shqipëria, rroftë Enver Hoxha”, ndërsa aktori Kiril Plastirov kishte nisur bashkëpunimin që në vitin 1963 duke spiunuar rrjete të nacionalistëve maqedonas.
Sipas dosjes së Ajrullit i ditëlindjes 1954 nga fshati Sedllarcë i Tetovës, ai ka funksionuar me pseudonimin “Zenit” nga viti 1976, kishte marrë detyra për të raportuar për funksionimin e studentëve dhe aktivistëve të çështjes kombëtare të asaj periudhe, por edhe si profesor i punësuar në shkollën e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë. Ai aktualisht po kryen detyrën e këshilltarit në komunën e Bogovinës në rajonin e Tetovës.
Deri më tani në web faqen e Komisionit për verifikimin e fakteve janë publikuar dosjet e 25 bashkëpunëtorëve.