E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike i “shtrëngo lakun” qeverisë, shkurton 10 miliardë lekë

Komisioni i Ekonomisë miratojë në parim ndryshimet në buxhetin 2009. Doganat dhe pushteti lokal, dy sektorët që kanë mbledhur me pak taksa

Ervin KOÇI

Qeveria shqiptare është e detyruar që këtë vit ta mbyllë me reduktime të shumta të fondeve dhe shpenzimeve. Ajo është dorëzuar dhe ka pranuar efektet që ka dhënë kriza ekonomike në arkën e shtetit. Kjo gjë është konfirmuar dje në mbledhjen e parë të kësaj legjislature të Komisionit të ri Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, i konfirmuar për një mandatë të dytë në krye të këtij dikasteri. Ministri Bode, sqaroi se janë rreth 10 miliardë lekë që do të rivlerësohen nga buxheti i shtetit. Ai i ka kërkuar deputetëve të Komisionit të Ekonomisë të miratojnë ndon se pa praninë e opozitës, uljen e nivelit të të ardhurave në buxhet me rreth 10 miliardë lekë si pasojë e rënies së të ardhurave në dogana si dhe ndërprerjen e burimeve të financimit për disa projekte që nuk janë tenderuar për t’u rialokuar në projekte të tjera. "Ulja ka ardhur kryesisht nga dogana për shkak të diferencës së çmimeve, por edhe për shkak të një rënieje të rritjes së importit të mallrave. Kriza botërore e ka vështirësuar pozitën e Shqipërisë edhe për sa i përket borxhit të jashtëm, që si pasojë e zhvlerësimit të lekut është rritur",- u shpreh Bode.

Ndryshimet në buxhet

Ndryshimet në buxhet u miratuan dje në komisionin e Ekonomisë, në një kohë që sipas kalendarit parlamentar ditën e enjte më datë 24 shtator pritet diskutimi në parlament. Komisioni Parlamentar i mori këto vendime në mungesë të opozitës, por në prani të deputetit me të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, duke i kryer kështu ndryshimet në buxhet vetëm me votat e mazhorancës. “Janë rreth 8 miliard lekë që i përkasin investimeve publike, tenderët e të cilave nuk janë realizuar në kohë por ka edhe projekte që nuk janë të nevojshme të kryen brenda këtij viti të cilat do ti anulojmë.
Ndërkohë që janë edhe 1.3 miliard lekë të tjetra të cilat i kemi kursyer nga shpenzimet operative”- tha ministri i Financave në komision. Rishikimi i buxhetit bëhet si pasojë e mos mbledhjes së taksave dhe tatimeve në nivelin e programuar në fillim të vitit. Sipas ministrit, Doganat dhe pushteti lokal janë dy sektorët që kanë pasur probleme në mbledhjen e taksave.

Niveli i borxhit

Ministri Bode ka paralajmëruar edhe uljen e kërkesës nga qeveria për borxh nga tregu vendas, pasi sipas tij interesat e bonove të thesarit janë rritur. "Ne mendojmë që të mbajmë atë normë interesi, e cila në një kuptim të llogaritjeve tona financiare është e arsyeshme",- theksoi Bode. Duke folur për riskun kryesorë të ekonomisë, kursin e këmbimit, ministri pranoi se luhatja e tij ka rritur borxhin e jashtëm të vendit. “Huan më të madhe e kemi në valutë ndaj dhe ndryshimi i kursit të këmbimit na ka sjellë një rivlerësim edhe të borxhit të jashtëm”-u shpreh Bode. Ai kërkoi që ekspertët të bëjnë analizat dhe të mos dalin në konkluzione paraprake, pasi sipas tij kjo luhatja e kursit mund të jetë e përkohshme. Ministri kërkoi që në buxhetin e vitit që vjen pushteti lokal duhet të rishikojë shpenzimet operative me tendencë ulje dhe të përqendrohet në realizimin në kohë të investimeve publike.

Rishikimi i buxhetit, qeveria rishpërndan paratë e privatizimeve strategjike

Nëpërmjet rishikimit të buxhetit 2009, qeveria synon një rishpërndarje, pra marrje të fondeve nga projektet apo ministritë, ku ato nuk janë shpenzuar. Sipas kreut të financave publike, Bode, projekti për rishikimin e buxhetit 2009 reflekton përdorimin e të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s, në masën neto prej 9.790 milionë lekësh të papërdorur nga viti i kaluar sipas formulës 50 % ulje të huamarrje së brendshme dhe 50 % rritjes së investimeve, të ardhurave nga privatizimi strategjik i OSSH-së, prej 11.700 milionë lekësh sipas formulës 50 % për ulje të stokut të brendshëm dhe 50 % rritje investimesh, si dhe të atyre nga shitja e aksioneve të AMC-së prej 5.440 milionë lekësh për rritjen e investimeve. Ministri Bode u shpreh se përmes kursimeve të shpenzimeve korrente prej 1.327 milionë lekë dhe të shpenzimeve kapitale prej 6.418 milionë lekë do të arrihet edhe mbulimi i mosrealizimit të të ardhurave në masën prej 7.706 milionë lekë.
Në këtë ndryshim të buxhetit parashikohet rritja e shpenzimeve kapitale me burime të brendshme në infrastrukturë me rreth 12.4 miliard lekë, dhe të shpenzimeve korrente me 1.7 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009, ku 1.2 miliardë lekë e zë rritja e kompensimit të ish-përndjekurve politikë. Në buxhetin e rishikuar të vitit 2009 shpenzimet e përgjithshme parashikohen në masën 401.907 milionë lekë me një rritje prej rreth 4 %, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009, ose në shumë absolute rreth 17.073 milionë lekë më shumë. Në buxhetin e rishikuar të vitit 2009 janë parashikuar 100.556 milionë lekë për investime publike me një rritje prej 10.120 milionë lekë kundrejt buxhetit fillestar, ose 8.55 % e PBB-së, nga të cilat 81 milionë lekë me financim të brendshëm dhe 19.556 me financim të huaj.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›