E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i statusit të biznesit, dorëzojnë licencat 110 subjektet e para

Rreth 100 subjekte biznesi janë duke u mbyllur vetëm në qarkun e Fierit

Ervin KOÇI

Nisja e procedurave për kalimin e rreth 15 mijë subjekteve private nga biznes i vogël në të madh, pra futjen e tyre si tatim pagues të TVSH-së, ka sjellë dhe “viktimat” e para. Shumë subjekte në qytete të ndryshme të vendit kanë nisur pa hezitim nga procedurat për likuidimin e aktivitetit, duke bërë dorëzimin e licencës pranë zyrave të QKR-së në qarqe. Në qyte si Fieri, Lushnja, Korça por edhe Tirana, nuk janë të pakta subjektet që janë bërë gati ose kanë dorëzuar tashmë licencën e tyre duke mbyllur aktivitetin. Sipas disa informacioneve zyrtare nga QKR-ja, deri tani janë rreth 110 subjekte që kanë nisur procedurat për falimentim ose kanë dorëzuar përfundimisht licencën pasi nuk e përballojnë dot rritjen e pragut të pagimi të taksave. Sipas projektit të qeverisë, Administrata Tatimore duhet të ketë gati brenda 31 tetorit listën e subjekteve që preken nga skema e re. Zgjerimi i taksapaguesve të skemës së TVSH-së erdhi si ide pas konstatimeve të shumta nga Tatimet për bilance të rreme, gjatë periudhës së parë të vitit 2009, kur dorëzohen xhirot vjetore. Aktualisht, me ligjin e TVSH-së, “biznesi i vogël” klasifikohet ai subjekt që ka një xhiro vjetore jo më të madhe se 8 milionë lekë. Në rast se e kalon këtë kufi, qofte edhe 1 lek, automatikisht ky biznes futet në skemën e TVSH-së, që do të thotë më shumë detyrime tatimore.

Falimentojnë bizneset

Numri i bizneseve që kërkojnë mbylljen e aktivitetit të tyre për shkak të mos përballimit të taksave që do t’u shtohen pas ndryshimit të pragut të xhiros vjetore, sa vjen dhe rritet. Në qarkun e Fierit, në bashkinë e Lushnjës, numri i subjekteve që po mbyllin aktivitetin po rritet çdo ditë. Vetëm për këtë 3-mujor janë 38 subjekte të cilat kanë ndërprerë aktivitetin e tyre. Kryesisht këto subjekte janë njësi tregtare, bare dhe restorante. Sipas drejtorisë së Tatimeve në bashkinë e Lushnjës, “kjo vjen për shkak të krizës që ka prekur dhe vendin tonë”. Gjithsej në territorin e bashkisë së Lushnjës ushtrojnë aktivitetin rreth 1350 subjekte. Krahasuar me një vit më parë numri i subjekteve të cilët falimentojnë është më i madh. Problem për degën e tatim- taksave në bashkinë e Lushnjës mbetet vjelja e taksave tek bizneset e vogla të cilët për shkak të vështirësive preferojnë të qëndrojnë informalë. Probleme ka edhe me subjektet e biznesit të vogël në qytetin e Fierit, ku ato ndjehen të pasigurta për fatin e aktivitetit të tyre. Ndërsa shumë prej tyre kanë deklaruar xhiro minimale dhe mungesë të theksuar të ardhurash, shumë të tjerë kanë nisur të testojnë edhe zonat ku mund të ketë një ndryshim të kësaj situate. Kjo konfirmohet nga departamenti i tatim-taksave në Bashkinë e Fierit, agjentë të të cilit prej një muaji janë duke inspektuar të gjitha zonat kryesore dhe ato dytësore të qytetit, ku edhe janë përqendruar bizneset në fjalë.

Rimbursimi i TVSH-së

Nëse biznesit i vonohet rimbursimi i TVSH-së së paguar, atëherë ai ka të drejtë të mos shlyejë asnjë taksë. Urdhri i prerë i Kryeministrit Sali Berisha, ka rritur në mënyrë të paparë normën e rimbursimit për bizneset, të cilat për vite me radhë janë përplasur nëpër dyert e tatimeve për të fituar të drejtën. Një biznesi i duhej të priste edhe një vit që të merrte mbrapsht diferencën për TVSH-në e paguar. Tani situata ka ndryshuar për faktin e frikës se mos subjekti privat nuk paguan taksat. Nga të dhënat zyrtare mësohet se vlera e rimbursimit të TVSH gjatë periudhës janar-gusht 2009, është rreth 2 miliardë lekë. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ky nivel është 60 për qind më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, Aadministrata Tatimore pranon se ka ende vonesa në shlyerjen e detyrimit ndaj biznesit. Sipas Tatimeve, konstatohen ende raste të vonesës për rimbursime. Megjithatë, pas analizës del se këto raste janë më shumë teknike dhe jo të qëllimshme, sikundër ndodhte më parë. Problemi i shlyerjes në kohë të rimbursimit të TVSH-së, Ministria e Financave dhe Tatimet e kanë zgjidhur në muajt e fundit, kur aprovuan ndryshimet në ligj. Sipas variantit të ri, tatimpaguesi në rastet kur gjykon që i është vonuar nga administrata me pa të drejtë, do të ndërpresë pagesën e çdolloj detyrimi tjetër në buxhetin e shtetit. Masa e re parashikon uljen drastike të barrierave administrative. Në skemën e re të rimbursimit të TVSH-së, prioritet kanë pasur subjektet private eksportuese, që janë kryesisht fasonët (industria tekstile).

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›