E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja Topi-Topalli, Kushtetuesja shtyn gjykimin me dy javë

17/02/2012  Më 29 shkurt gjykata do të shqyrtojë kërkesën ankimore të Presidentit të Republikës

Kuvendi i papërgatitur për t’u përballur me çështjen e kompetencave

Gjykata Kushtetuese e ka shtyrë seancën gjatë së cilës do të shqyrtohej kërkesa e Presidentit të Republikës për zgjidhjen e kompetencave mes institucionit që ai drejton dhe Kuvendit të Shqipërisë. Seanca e shqyrtimit ishte planifikuar të mbahej paraditen e djeshme, por ajo është shtyrë për ditën e fundit të këtij muaji me kërkesë të përfaqësueses së Kuvendit në këtë gjykim Arjeta Çefa. Ajo i kërkoi trupës gjykuese më shumë kohë për shqyrtimin e çështjes. Në fund të vitit që shkoi kreu i shtetit, Bamir Topi, depozitoi pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesën ankimore me objekt: shfuqizimin e vendimit nr.106, datë 23.06.2011 të Kuvendit; zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet institucionit të Presidentit dhe Kuvendit. Numri një i shtetit vlerëson në kërkesën e tij se Kuvendi i ka marrë kompetencën kushtetuese të dekretimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo pas pezullimit nga ligjvënësi të shqyrtimit të dekreteve të tij për gjyqtarë të rinj në qershor të vitit që shkoi. Dy emrat që do të zëvendësonin dy anëtarë aktualë të Kushtetueses nuk u miratuan nga Kuvendi me argumentin se ligji parashikon rinovim të tre anëtarëve çdo tre vjet dhe ky cikël ishte plotësuar. Pikërisht ky është vendimi për të cilin Presidenti Topi kërkon shfuqizimin. Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që u ka mbaruar mandati 9 vjeçar, por që janë ende në detyrë, mandati u zgjatet de facto deri në 13 vjet. Vërtet Kushtetuta thotë se ata qëndrojnë në detyrë deri në rizgjedhjen e anëtarëve të rinj, por kjo sipas Presidentit ka të bëjë me kohëzgjatjen e procedurave dhe jo me pezullimin e tyre. Duke pezulluar procedurën e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit, Kuvendi i thotë kreut të shtetit të mos i dërgojë më emra. Presidenti vlerëson se Kuvendi i merr atij një kompetencë që ia jep Kushtetuta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›