E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perplasja brenda PD, Biberaj: “Topalli ka uzurpuar Kuvendin”

Biberaj reagon: “Topalli ka marrë kompetencat e Kuvendit”. Topalli jep arsyet: “Biberaj ka bërë shkelje të rënda financiare”

Eljona Ballhysa
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka reaguar dje, pas kërkesës për shkarkimin e tij të bërë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Biberaj e ka cilësuar nismën e Topallit shkelje të Rregullores së Kuvendit. Sipas tij, bazuar në Rregulloren e Kuvendit, vendimi për të ndryshuar përfaqësuesit e delegacionit shqiptar në Këshillin e Europës merret nga Kuvendi dhe jo nga kryetarja e Kuvendit. Biberaj ka bërë të ditur se për këtë vendim të kryetares Topalli, ai nuk është vënë në dijeni. Zëvendëspresidenti i Asamblesë së KE-së ka bërë të ditur gjithashtu se ka vënë në dijeni drejtuesit e Asamblesë për shkeljen e hapur të Rregullores nga numri një i ligjvënësit shqiptar. Fill pas deklaratës së Biberajt, kryetarja e Kuvendit, Topalli, ka dhënë arsyet e kërkesës për shkarkimin e tij duke bërë të ditur se Biberaj ka abuzuar me financat e Kuvendit, duke udhëtuar drejt Strasburgut edhe jashtë axhendës parlamentare. Biberaj nga ana e tij i ka cilësuar shpifje, akuzat e Topallit ndërsa ka bërë të ditur se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje.
Mbrojtja
“Duke u bazuar në Rregulloren e Kuvendit rezulton se znj. Topalli e ka shkelur në mënyrë flagrante Rregulloren e Kuvendit, ka anashkaluar Kuvendin, si dhe ka marrë kompetencat e Kuvendit, gjë që përbën një precedent tepër të rrezikshëm për një vend demokratik”, - është shprehur Biberaj. Sipas tij, kryetarja Topalli ka shkelur Nenin 7, Pikën 3 të Rregullores së Kuvendit në të cilën thuhet qartësisht se, “Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur”. Sipas Biberajt, kjo procedurë nuk është zbatuar, pasi letra e kryetares së Kuvendit është dërguar në Strasburg përpara datës 19 janar 2009, ndërkohë që Kuvendi, i mbledhur në seancën e parë më datë 19 janar 2009, nuk është njoftuar me përmbajtjen e kësaj letre.
“Veprimi i znj. Topalli shkel rëndë etikën parlamentare pasi është kryer në konspiracion të plotë dhe pa asnjë lloj transparence, pa më njoftuar si dhe pa dijeninë e Grupit Parlamentar të PD-së”, - është shprehur Biberaj.
Akuza
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, kryetarja e Kuvendit e ka cilësuar të pavërtetë deklaratën e Biberajt, duke bërë të ditur se për shkarkimin e tij është konsultuar me Astrit Patozin, kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së. Më tej, ajo ka shpjeguar se arsyeja e kërkesës për shkarkimin e Biberajt është abuzimi i tij me fondet financiare të Kuvendit. “Arsyeja kryesore e këtij zëvendësimi vjen për shkak të shkeljeve të rënda financiare të udhëtimeve që Biberaj ka bërë në mënyrë të paautorizuar, në emër të Kuvendit dhe që nuk kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e rregullt të delegacionit në seancat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Këto të fundit janë miratuar gjithmonë nga Kuvendi. Rasti i sjelljes së Biberajt është rast unik. Kryetarja e Kuvendit ka mbështetur vazhdimisht dhe ka miratuar pjesëmarrjen e delegacionit, përfshi këtu edhe z.Biberaj, në çdo sesion parlamentar të Këshillit të Europës, në respekt të këtij institucioni. Madje, në disa raste, ka miratuar edhe udhëtime jashtë sesionit parlamentar të anëtarëve të delegacionit edhe në aktivitete të tjera të KE-së”, - bëhet e ditur në njoftimin e kryetares së Kuvendit.
Kundërreagimi
Menjëherë pas arsyes së dhënë nga Topalli për abuzime me fondet, ka reaguar sërish deputeti Biberaj. Ai i ka cilësuar shpifje të ulëta akuzat e Topallit. “Çdo udhëtim zyrtar i z. Biberaj është i protokolluar dhe në data-base të Këshillit të Europës. Fatkeqësisht, znj. Topalli është përpjekur sistematikisht gjatë këtyre tre viteve të pengojë aktivitetet e z. Biberaj në Këshillin e Europës, duke mos iu përgjigjur një sërë kërkesave dhe njoftimeve për takime zyrtare të KE-së, në përmbushje të detyrimeve zyrtare që rrjedhin nga mandatet e z. Biberaj në KE. Shpenzimet, për të cilat shpif znj. Topalli, janë takime zyrtare, të cilat z. Biberaj i ka përballuar me shpenzimet e veta, pasi znj. Topalli nuk është përgjigjur”, - bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të deputetit Biberaj. Ai shprehet i hapur për hetim, madje bën të ditur se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar këto shpenzime, por në të njëjtën kohë edhe të shpenzimeve për udhëtimet e znj. Topalli.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›