Reali, shoping në Angli te Arsenali
Arsen Venger është gati të lërë Arsenalin në fund të sezonit për të shkuar te Reali i Madridit, duke marrë me vete edhe Sesk Fabregasin. Lajmi vjen nga “Daily Mirror”, që u referohet burimeve konfindenciale pranë Florentino Perezit, ky i fundit në Spanjë po bën ç’është e mundur për t’u rikthyer në poltronën e presidentit të Realit të Madridit, të lënë në vitin 2006.
VENGER - “Florentino dëshiron që Venger të jetë si trajner, ashtu dhe menaxher i skuadrës - lexohet në tabloidin anglez - dhe premton se kjo do të ndodhë”. Por jo vetëm Venger. Sipas “spiunit” anonim, objektivi tjetër i bujshëm i Perezit është Kaka. “Me brazilianin në skuadër, Vengerin në bankinë, Florentino të risjellë Realin e kohëve të shkuara”. Në të kaluarën Venger e kishte refuzuar dy herë ofertën e Realit të Madridit, por kësaj radhe pas rolit të dyfishtë që pritet t’i ofrohet mund ta lërë Arsenalin.
ARSHAVIN – “Topçinjtë” janë duke trajtuar me shumë kujdes tratativën për të bërë të tyrin rusin Arshavin, por, me sa duket, sipas “Daily Mail”, transferimi duket se është në një pikë të vdekur. Mundësitë për të mbyllur çështjen ekzistojnë akoma, por jo në shifrën e 16 milionë eurove.
DROGBA – Sulmuesi i Çelsit është shndërruar në objektivin e madh të Mançester Sitit, pas refuzimit të Kakasë dhe “jo”-së së Roke Santa Kruzit për të mos e lënë Bllekbërnin. Sipas “Daily Mail”, sheiku Mansur u ka kërkuar drejtuesve të Çelsit të japin çmimin e tyre për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, ku në tratativë mund të përfshihet edhe braziliani Robinjo, i kërkuar së fundi nga blutë e Abramoviçit.
Juventusi interesohet për Kajt
Juventusi shfaqi interesimin e tij për sulmuesin e Liverpulit, Dirk Kajt, teksa bardhezinjtë po përpiqen të gjejnë një zëvendësues të Pavel Nedvedit. Menaxheri i yllit çek, Mino Raiola, paralajmëroi drejtuesit e Juventusit se klienti i tij nuk do të pranojë ofertën për t’u paguar në bazë të aktivizimeve. Gazeta italiane “Corriere Dello Sport” shkruante se Juventusi është gati të ofrojë 30 milionë euro për 28-vjeçarin holandez, dhe besohet se bisedimet do të nisin shumë shpejt. Kontrata aktuale e Pavel Nedved skadon në qershor të këtij viti.
Nesta: “Jam gati për stërvitje”
Alesandro Nesta u kthye. Dhe është shumë mirë. Mbrojtësi i Milanit pas tre muajve në Majami të Shteteve të Bashkuara, ku ndodhej për t’u kuruar pas problemeve në shpinë, foli për mediat italiane. “Jam në gjendje të stërvitem. Sapo erdha. Do të shkoj në Milanelo e të nis punën. Shkova në Majami dhe besoj se ishte zgjedhja më e mirë”. Nesta flet edhe për shokun e skuadrës, Kaka: “Jam i kënaqur që Kaka qëndroi. Ky është një sinjal i rëndësishëm nga ana e klubit”.
Xherard rrezikon pesë vjet burg
Pesë vjet burg, vendin në skuadër dhe në Kombëtaren angleze. Këto mund të rrezikojë Stivën Xherard, i cili sot do të dalë për herë të parë përpara Gjykatës së Southportit. Kapiteni i Liverpulit u ndaluar nga policia më 29 dhjetor 2008, pas një grindjeje në "Lounge Inn", një pub Southport, 25 km nga Liverpuli. Pas dy netëve në qeli u lirua me kusht.
23 Janar 2009